Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

Qendra për Formimin e Vazhduar

QENDRA E FORMIMIT TË VAZHDUAR

Qendra e Formimit të Vazhduar në Universitetin e Korçës ka filluar veprimtarinë e saj në vitin akademik 2013-2014 dhe ka funksionuar me dy Qendra të  Ekselencës, përkatësisht në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë dhe në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane të akredituara nga Ministria e Arsimit.  Këto dy qendra kanë organizuar trajnimin e mësuesve në shërbim në sesione të rregullta të shpërndara gjatë vitit në gjithë rajonin e Korçës dhe më gjerë.

Organizimi i trajnimeve është kryer, duke u mbështetur në Udhëzimin e MASH, Nr.11. datë 17.05.2013 dhe Udhëzimin Nr. 26, dt. 15.08.2014 të MAS, për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë.

Qendrat e zhvilluan veprimtarinë trajnuese deri në shkurt të vitit 2015, ku me një urdhër të MAS-it, do të bëhej riorganizimi dhe riakreditimi i tyre. Gjatë kësaj periudhe në këto dy qendra trajnimi në Universitetin e Korçës janë realizuar këto trajnime:

Në  vitin akademik 2013-2014, pranë Qendrës së Ekselencës në Fakultetin e Edukimit  dhe Filologjisë u trajnuan dhe certifikuan 736 mësues, me 2580 kredite në total.

Në  vitin akademik 2014-2015, u trajnuan dhe certifikuan 534 mësues, me  1394  kredite   në total.

Në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane, për periudhën 2013-2015, u trajnuan dhe u certifikuan 207 mësues, me 786 kredite në total.

Tarifa për 1 kredit trajnimi e vendosur me vendim të Këshillit të Administrimit, është 1000 lekë.

Në total, për vitet 2013-2015 nga të dy Qendrat e Ekselencës janë trajnuar dhe certifikuar  1477 mësues në total.

Në procesin e trajnimit të mësuesve janë përfshirë rreth 30 pedagogë nga të dy fakultetet.

Qendra ka të hedhura në databazë të gjithë të dhënat e mësuesve të trajnuar dhe certifikuar, modulet dhe pedagogët përkatës që kanë kryer trajnimet, periudhën e trajnimit dhe vlerën monetare të paguar prej tyre në llogarinë e universitetit.

Për vitin 2015-2016, Qendra e Ekselencës ka ndërprerë procesin normal të trajnimit dhe kualifikimit të mësuesve, në bazë të Urdhrit  421, datë 04.11.2015 të  MAS-it,  i cili përcakton se agjencitë e akredituara të trajnimit nuk do të organizojnë trajnime me punonjësit arsimorë deri në shpalljen e nevojave të identifikuara për zhvillim profesional për çdo mësues, shkollë dhe njësi arsimore, nevoja të cilat do të shpallen nga MAS-i dhe IZHA, pas procesit të testimit të mësuesve në shkallë kombëtare, lidhur me zhvillimin e tyre profesional.

Me shpalljen e interesit për trajnime për punonjësit arsimore në arsimin parauniversitar për periudhën 2017-2021, kjo qendër aplikoi pranë IZHA-s si një strukturë e vetme në nivel institucional, me modulet ekzistuese dhe module të reja në përputhje me nevojat për trajnim të evidentuara nga MASR-ja, në maj të vitit 2017.

Me Vendimin Nr. 26, dt. 19.12.2017 Qendra  e Formimit të Vazhduar, Universiteti “Fan S. Noli” akreditohet nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë për një periudhë 4-vjeçare, deri në dhjetor të vitit 2021, për  34 module trajnimi dhe 1 program që përfshin 5 module, pra në total  për  39 module.

Prej shkurtit të vitit 2018 Qendra për Formimin e Vazhduar filloi sesionet e rregullta të trajnimit, bazuar mbi kërkesën e mësuesve të interesuar për zhvillimin e tyre profesional. Risia qëndron në faktin se mësuesve të interesuar, oferta u jepet online nëpërmjet portalit të IZHA-s: www.trajnime.arsimi.gov.al   dhe po nëpërmjet këtij portali bëhet edhe regjistrimi i mësuesve.

Portali aksesohet në të njëjtën kohë nga vetë mësuesi që është trajnuar, Qendra e Trajnimit dhe IZHA, duke ruajtur të dhëna për modulin që është trajnuar, periudhën e trajnimit, pikët e fituara dhe certifikimin.

Për vitin akademik 2018 -2019 Qendra vazhdon sesionet e rregullta të trajnimit, në përmbushje të  Udhëzimit të MASR-së për veprimtarinë e Qendrave të Trajnimit për mësuesit në   shërbim.

Qendra e Formimit të Vazhduar e ka  selinë e saj pranë kampusit të ri në Rektoratin e Universitetit “Fan S. Noli” në Katin II, me një infrastrukturë moderne për kualifikimin e mësuesve, të pajisur edhe me një bazë të pasur didaktike të teknologjisë bashkëkohore, falë edhe Projektit Ndërkombëtar TEAVET, projekt i realizuar në kuadër të Programit Erasmus +  ku UNIKO është pjesë e tij. Qendra  ka një koordinator (përgjegjës), pedagog, si dhe lektorë (pedagogë të kualifikuar dhe me përvojë mësimdhënieje), nga departamentet e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Humane

Në kuadër të projekteve të përbashkëta, Qendra e Formimit të Vazhduar ka realizuar një sërë projektesh trajnimi. Në bashkëpunim me Save the ChildrenMEDPAK dhe Cooperazione Italiana allo Sviluppo, në periudhën Mars – Maj  2015, Qendra  u përzgjodh për të zhvilluar sesione trajnimi në 7 rajone të Shqipërisë, me mësues të arsimit parauniversitar në fushën e arsimit gjithëpërfshirës dhe vështirësive në të nxënë, në shkolla që mbulohen nga ky projekt. Gjatë kësaj periudhe u trajnuan dhe certifikuan 420 mësues, përkatësisht 60 mësues për çdo rajon: Korçë, Gjirokastër,  Durrës, Vlorë, Elbasan,  Peshkopi, Burrel.

Për periudhën shtator 2015 – prill 2016, në bashkëpunim me MEDPAK dhe World Vision, u realizua trajnimi i mësuesve në disa rajone, në shkollat e projektit , përkatësisht : Tropojë, Kukës, Tiranë, Vlorë, Korçë, ku morën trajnim dhe u certifikuan rreth 220 mësues të tjerë.

Gjatë vitit  2016, në periudhën  prill -shtator, nëpërmjet një projekti të MAS-it, në bashkëpunim me  Save the Children, Cooperazione  Italiana allo Sviluppo  dhe MEDPAK, u realizua trajnimi dhe certifikimi i të gjithë mësuesve ndihmës të Shqipërisë, në përputhje me Udhëzimin Nr. 38, dt. 7.10.2014 të MAS-it, si dhe një pjesë të punonjësve të shërbimit psiko-social pranë DAR/ZA-ve. Ky projekt mundësoi  trajnimin e rreth 200 mësuesve dhe specialistëve, të realizuar në tre qendra: Vlorë, Elbasan  dhe Tiranë.

Si pjesë e Projektit TEAVET, Qendra e Formimit të Vazhduar ka aplikuar pranë IZHA-s me dy module trajnimi, duke u bërë pjesë  e paketës prej 16 modulesh trajnimi, që do të kenë në total gjithë qendrat e formimit të vazhduar nga secili universitet publik në përfundim të aplikimeve.  


UDHËZUESI PËR REGJISTRIM (PDF) (kliko)

VENDIMI KAPT (PDF) (kliko)