- Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë u hap në bazë të Urdhrit nr. 16, datë 17.1.2012 të ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, mbështetur në nenin 102 të Kushtetutës dhe në nenin 41 të Ligjit “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, pasi u bë riorganizimi i Fakultetit të Mësuesisë (Fakulteti i Pedagogjisë, me programin e studimit 3-vjeçar “Mësues për Arsimin Fillor”), i themeluar në vitin 1992, me vendimin nr. 5, datë 7 janar 1992 të Këshillit të Ministrave.
- Nga viti 1992 deri në vitin 2013 janë hapur këto programe studimi të ciklit të parë “Bachelor”: Gjuhë angleze (1994), Mësuesi Arsimi Parashkollor (1995); Gjuhë-letërsi (2005), Gjuhë-letërsi shqipe dhe frënge (2009), Histori-gjeografi (2010), Cikël i Ulët dhe Anglisht për Ciklin Fillor (2010, Filiali Pogradec), Mësuesi për Arsimin fillor, klasa I-VI (2013). Programet e studimit “Bachelor”: Arsimi Parashkollor, Arsimi Fillor, Gjuhë-letërsi, Histori-gjeografi zhvillohen edhe në sistemin me kohë të pjesshme.
- Në vitin akademik 2008-2009 hapen për herë të parë programet e studimit të ciklit të dytë “Master i Nivelit të Parë” (MNP) për Ciklin e Lartë të Arsimit Bazë dhe Arsimin e Mesëm në profilet “Gjuhë-letërsi” dhe “Gjuhë angleze” me 60 kredite, të cilat në vitin akademik 2010-2011 u riorganizuan me 90 kredite, duke përfshirë profilet minore “Arte” dhe “Sporte”; “Master profesional” në Mësimdhënie (2011) me 90 kredite për mësuesit specialistë të shkollave të mesme profesionale; “Master profesional” Mësuesi për Ciklin e Ulët (2012) (sistemi me kohë të pjesshme); “Master i Shkencave” Arsimi Fillor klasa I-VI (2012), “Master Profesional”, Mësuesi Histori-gjeografi (2013).
- Që nga viti 1992 e deri vitin akademik 2012-2013 në këtë fakultet janë diplomuar 4375 studentë.
- Në vitin akademik 2012-2013 në Fakultetin e Edukimit dhe të Filologjisë vazhdonin studimet 2157 studentë gjithsej: 1112 në programet e ciklit të parë “Bachelor” me kohë të plotë; 492 në programet e ciklit të parë “Bachelor” me kohë të pjesshme dhe 553 studentë në programet e studimit të ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master i shkencave”.
- Në vitin akademik 2014-2015 Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë ka një staf të brendshëm akademik me 48 pedagogë: 1 profesor, 6 profesorë të asociuar, 15 doktorë shkencash, 4 docentë dhe 22 lektorë në proces doktorature. Në fakultet janë ftuar të japin mësim 16 pedagogë nga Universiteti i Tiranës dhe institucione të tjera, akademikë dhe profesorë.
- Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë është akredituar për 42 module trajnimi. Nëpërmjet Qendrës së Ekselencës “FEF”, qysh prej dy vjetësh, organizohet kualifikimi i mësuesve në shërbim në gjashtë sesione treditore të përvitshme në gjithë rajonin e Korçës. Vetëm në vitin akademik 2013-2014 u kualifikuan 954 mësues. Qendra e Ekelencës “FEF” ka një infrastrukturë të përshtatshme për trajnimin e mësuesve dhe një bibliotekë të specializuar për këtë qëllim me 210 tituj dhe rreth 960 libra.
- Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë ka infrastrukturë bashkëkohore për mësim dhe veprimtari shkencore: 10 salla me videoprojektorë, 1 amfiteatër, 1 sallë videokonferencash; 1 laborator për gjuhët e huaja dhe fonetikën, si dhe 75 kompjutera me poste pune interneti për pedagogët dhe studentët.
- Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë ka bibliotekën e vet të specializuar në shqip dhe në gjuhë të huaja me rreth 7 mijë tituj me 16 mijë libra. Në bibliotekën e fakultetit studentët dhe pedagogët kanë akses për të lexuar në bibliotekat dixhitale të disa universiteteve të huaja.
- Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë ka organizuar 11 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe ka bashkëpunim të ndërsjelltë me 12 fakultete homologe në Shqipëri, në Ballkan dhe në Evropë. Gjithashtu, janë botuar 13 përmbledhje me materiale nga konferenca, monografi etj.
- Në Fakultetin e Edukimit dhe të Filologjisë janë ftuar të mbajnë leksione dhe të zhvillojnë biseda personalitete letrare dhe shkencore nga Shqipëria dhe universitete evropiane.
- Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë nxjerr serinë e botimeve “Vjetari shkencor FEF”, me punime shkencore të pedagogëve dhe me përmbledhje të kumtesave në konferenca të ndryshme.
- Çdo vit Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë organizon veprimtari të ndryshme kulturore, promovuese dhe shkencore me stafin akademik dhe me studentët.