Në datën 16 maj 2025 u zhvillua Simpoziumi Shkencor “Llazar (Zai) Fundo-Figurë e shquar e mendimit shqiptar dhe evropian” një bashkëpunim i Universitetit “Fan S. Noli” dhe Këshillit të Qarkut Korçë.
Të pranishmit i përshëndeti rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili ndër të tjera vlerësoi këtë organizim kushtuar një prej figurave më komplekse, por edhe më frymëzuese të mendimit shqiptar dhe evropian, Llazar (Zai) Fundo.
Njëkohësisht, Rektori nënvizoi bashkëpunimin e frytshëm midis dy institucioneve edhe në këtë bashkorganizim, i cili është në vijim të një sërë projektesh e bashkëpunimesh që Universiteti ynë po ndërmerr për të sjellë në vëmendje figura që kanë kontribuar për dijen, lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Në fjalën e tyre vlerësime dhanë për simpoziumin dhe kumtesat që u paraqitën në të për vlerësimin e Llazar (Zai) Fundos figurë e shquar e mendimit shqiptar dhe evropian, edhe kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Erjon Nexhipi dhe kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo.
E pranishme në takim ishte dhe mbesa e Zai Fundos, znj. Elisaveta Fundo Poçari, e cila falënderoi organizatorët për këtë vlerësim dhe ndau me të pranishmit disa momente emocionale nga jeta e saj në familjen Fundo.
Pas paraqitjes së kumtesave, simpoziumi u përmbyll me vizitën e ekspozitës fotografike, të çelur në hollin e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.





































