Në datën 17 prill 2026, në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli” u zhvillua trajnimi i dytë institucional me stafin akademik mbi metodologjinë gjithëpërfshirëse të mësimdhënies në botën digjitale dhe krijimin e materialeve mësimore të aksesueshme. Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit HAWKING, në të cilin UNIKO është partner.
Ky trajnim u organizua nga Universiteti ynë dhe u ndërtua mbi bazat e vendosura gjatë sesionit të parë institucional të realizuar në nëntor 2025, duke kaluar nga faza e ndërgjegjësimit në zbatimin praktik të qasjeve gjithëpërfshirëse në mësimdhënie.
Trajnimi u përqendrua në kornizën e Dizajnit Universal për Mësimin (UDL) dhe tre parimet e saj themelore: Angazhimi, Përfaqësimi dhe Veprimi, si dhe në modele praktike të tilla, si: programi mësimor gjithëpërfshirës, struktura multimodale e leksionit, vlerësimi fleksibël dhe rubrika transparente.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi praktika konkrete mësimore, duke identifikuar problemet dhe duke propozuar zgjidhje të bazuara në parimet e UDL-së.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mjeteve digjitale për mësimdhënien gjithëpërfshirëse, ku tw pranishmit u njohën me mjete si Mentimeter, Padlet, Canva, Loom dhe Google Forms.
Trajnimi u vlerësua pozitivisht nga pjesëmarrësit, të cilët theksuan rëndësinë e përmbajtjes praktike, cilësinë e materialeve mësimore të aksesueshme dhe mundësinë për shkëmbim përvojash midis kolegëve.
Sipas koordinatores së projektit, dr. Erinda Papa trajnimi përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme të Universitetit “Fan S. Noli” për forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e mësimdhënies gjithëpërfshirëse dhe digjitale, në përputhje me objektivat e projektit HAWKING dhe vizionin e Universitetit për një mjedis akademik të hapur dhe të aksesueshëm për të gjithë.














