Në datën 17 nëntor 2025 një grup studentësh dhe pedagogësh nga Universiteti i Patrës, Greqi vizituan Universitetin “Fan S. Noli” në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Fillimisht disa përfaqësus të stafit akademik të këtij Universiteti u pritën në takim nga drejtues të Universiteti “Fan S. Noli”, ku diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit për rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, si dhe mbi zhvillimin e projekteve të përbashkëta për ndërtim kapacitetesh dhe kërkim, në përputhje me thirrjet e programeve të Bashkimit Evropian.
Të dy universitetet ndajnë fusha të ngjashme mësimdhënieje dhe kërkimi, duke krijuar bazën për një partneritet afatgjatë dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërinstitucional.
Ndërkohë studentët dhe një pjesë e stafit të tyre u shoqëruan nga stafi i Sektorit të Karrierës Studentore dhe Alumnit, UNIKO.
Specialistja msc. Xhuliana Sadikaj i njohu ata me auditorët, laboratorët dhe bibliotekën në mjediset e Rektoratit dhe më pas me mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, si dhe me qytetin e Korçës.
Studentja e departamentit të Gjuhëve të Huaja, UNIKO Brisilda Hoxhalli ishte bashkë me grupin e studentëve dhe pedagogëve nga Patra gjatë takimeve të tyre në Qendrën Rinore dhe Korça Innovation Hub si institucione partnere me UNIKO, të cilat zhvillojnë veprimtari për të rinjtë.


































