CILËSITË FIZIKO-KIMIKE DHE BIOLOGJIKE TË UJËRAVE QË PËRDOREN PËR UJITJEN E KULTURAVE BUJQËSORE NË FUSHËN E DEVOLLIT JANË NË QENDËR TË NJË STUDIMI TË NDËRMARRË NGA FAKULTETI I BUJQËSISË, UNIKO

Në Fakultetin e Bujqësisë u prezantua projekti “Vlerësimi i cilësive fiziko-kimike dhe biologjike i ujërave që përdoren për ujitjen e kulturave bujqësore në fushën e Devollit”, i fituar në kuadër të Projekteve Kombëtare të Kërkim Zhvillimit (PKKZH) miratuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Në këtë prezantim, ku ishin të pranishëm drejtues të UNIKO, staf akademik dhe studentë, koordinatori i projektit, prof. as. dr. Adrian Maho u ndal fillimisht në identifikimin e problemit dhe rëndësinë e zgjidhjes së tij. Ai tha se qëllimi i projektit është vlerësimi i cilësive fiziko-kimike dhe biologjike të ujerave që përdoren për ujitjen e kulturave bujqësore në fushën e Devollit. Vitin 2024 stafi i projektit përfundoi një projekt të ngjashëm për fushën e Korçës mbështetur nga UNIKO.
Përgëzime për projektin e fituar shprehu edhe rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili u ndal edhe në programet e studimit që ofron FB në këtë fushë. Rektori ftoi të rinjtë ta shohin ofertën akademike të këtij fakulteti si një mundësi shumë të mirë jo vetëm për studimet e tyre, por edhe për tregun e punës, duke qenë se bujqësia është një ndër prioritetet kombëtare.
Më pas, në këtë prezantim u paraqitën objektivat e projektit që lidhen me: vlerësimin e gjendjes reale të cilësisë së ujërave që përdoren për ujitjen e kulturave bujqësore në fushën e Devollit, ballafaqimin e treguesve të cilësisë së këtyre ujërave me standardet e Rregullores së BE-së 2020/741, rekomandimet shkencore bazuar në analizat e projektit në lidhje me përdorimin e ujit për ujitjen e kulturave bujqësore, implementimin e Rregullores se BE-së 2020/741 për të garantuar produkte të sigurta për konsumatorin, qarkullimin dhe tregtinë e lirë të produkteve agroushqimore në të gjithë vendin dhe në Bashkimin Evropian, si dhe minimizimin e ndikimit negativ të aktiviteti njerëzor në ndotjen e ujërave dhe mjedisit.

Previous Post
BASHKËPUNIMI NDËRKOMBËTAR – DR. ALDONA MINGA PEDAGOGE E FTUAR NË UNIVERSITETIN “ALDO MORO” TË BARIT, ITALI
Next Post
STAFI AKADEMIK DHE ADMINISTRATIV I UNIKO U NJOH ME PROJEKTIN BRIDGE NGA READ- MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI MES AADF DHE UNIKO