Në datën 17 qershor 2025 në Universitetin “Fan S. Noli” u prezantua për stafin akademik dhe administrativ projekti BRIDGE nga READ- Marrëveshje bashkëpunimi mes AADF dhe UNIKO.
Sa i takon projekteve të fituara Universiteti “Fan S. Noli” mban vendin e parë nënvizoi znj. Jonida Lamaj menaxhere projekjtesh pranë AADF. Njëkohësisht ajo theksoi sukseset e AADF me UNIKO në disa projekte, si: CleanScore, Shkolla e Drejtorëve, Programi READ e tashmë edhe programi BRIDGE by READ.
Në fjalën e tij edhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me AADF, duke u ndalur në mbështetjen që AADF i ka dhënë Universitetit tonë për përgatitjen e dokumentit “Raport Vlerësimi mbi Transformimin e Universitetit të Korçës”, dokument në të cilin nëpërmjet skanimit të së sotmes janë përcaktuar piketat e një rrugëtimi të sigurt për të ardhmen.
Më tej, të pranishmit ndoqën edhe diskutimet e znj. Brixhilda Gurakuqi, Koordinatore Projektesh dhe z. Enrik Keco menaxher projektesh, pranë AADF, si dhe znj. Mirela Muça, Drejtoreshë e Përgjithshme e AKKSHI.
Konkretisht, në takim u diskutua për platformën e rrjetëzimit dhe bashkëpunimit, për rezultatet e pritshme dhe për qëllimin që lidhet me nxitjen e bashkëpunimit mes akademikëve shqiptarë të Diasporës dhe institucioneve të Arsimit të Lartë në vend.





















