Në datën 27 prill 2026 në mjediset e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane zhvilloi punimet konferenca shkencore, si dhe prezantimi i botimit studimor “Burimet ujore në rajonin e Korçës: vlerat mjedisore, turistike dhe shëndetësore”, në kuadër të projektit me të njëjtin titull.
Ky botim vjen si një studim i Universitetit “Fan S. Noli” në partneritet me shoqatën alpino – turistike “Korça Alpin” dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Takimi u hap me prezantimin e projektit nga drejtuesi i tij, pedagogu, dr. Eriseld Kalemaj për pjesëmarrësit: staf akademik e administartaiv, studiues, përfaqësues të pushtetit vendor, institucioneve, studentë e të ftuar të tjerë.
Gjithashtu takimin e përshëndetën edhe dekani i FSHNH, prof. as. dr. Rafail Prodani dhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili ndër të tjera u shpreh se ky projekt u konceptua dhe u realizua si një studim i integruar që kërkoi angazhimin e katër departamenteve në dy fakultete ku morën pjesë kërkues e studentë nga departamentet “Bilologji-Kimi”; “Histori-Gjeografi”; ‘Infermieri” dhe departamenti i Shkencave Sociale”. “Projekti ishte i shtrirë në të gjithë qarkun e Korçës dhe për realizimin e tij u bashkëpunua ngushtësisht me institucionet lokale si: Prefektura Korçë, Këshilli i Qarkut Korçë, Administrata e Zonave të Mbrojtura- Rajoni Korçë. Po kështu ndihmë të çmuar dhanë edhe bashkitë e Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit, Maliqit dhe Pustecit, të cilat angazhuan stafet e tyre, duke filluar nga studimi në terren, lehtësimi i komunikimit me komunitetin dhe ekspertët e fushave, mikpritjen në fazën II të projektit, kur u krye prezantimi i rezultateve dhe fushata ndërgjegjësuese. Ky bashkëpunim ishte konkret dhe përmbushi me sukses detyrat e projektit”.
Botimi është një studim i integruar për: Burimet termale të Sarandoporit, Liqeni akullnajor i Gramozit, Burimi i Devollit, Burimi i Osumit, Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël, Liqenet akullnajore të Valamarës, Liqeni i Ohrit dhe burimet e Drilonit dhe Liqenet akullnajorë të Lukovës, ku paraqitën të dhënat nga analizat biokimike, lidhja e burimeve me ekosistemin, potenciali turistik, vlerat apo rreziqet shëndetësore dhe marrëdhënia e komunitetit me to.
Më pas konferenca vijoi punimet me seancat prezantuese, ndërsa në fund u shpërndanë edhe Certifikatat e Pjesëmarrjes” për studentët e angazhuar në projekt.


































