Në datën 21 shtator 2026 në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë u prezantua projekti i fituar në kuadër të programit READ me titull “Pedagogjia e shkrimit krijues: Përforcimi i mendimit kritik, i aftësive gjuhësore dhe digjitale në arsimin e lartë”.
Ky projekt, sipas koordinatores, prof. as. dr. Daniela Stoica heton shkrimin krijues si një praktikë pedagogjike inovative në arsimin e lartë, duke integruar një modul të shkrimit krijues në disa kurse universitare ekzistuese (letërsi angleze dhe amerikane, histori dhe qytetërim amerikan, bazat e komukimit me shkrim, aftësi komunikimi etj.). Njëkohësisht ai shqyrton ndikimin e tij në aftësitë gjuhësore të studentëve, të menduarit kritik, ndërgjegjësimin ndërkulturor dhe shkrim-leximin digjital.
Takimin e përshëndeti edhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili theksoi se në një kohë kur arsimi i lartë përballet me ndryshime të shpejta, të nxënit nuk mund të kufizohet vetëm në përvetësimin e njohurive. “Studentët tanë kanë nevojë të zhvillojnë aftësinë për të menduar në mënyre kritike, për të argumentuar, për të komunikuar qartë, për të krijuar dhe për t’i përdorur me përgjegjësi mundësitë që ofrojnë teknologjitë digjitale. Pikërisht, në këtë kontekst merr rëndësi të veçantë shkrimi krijues. Ai nuk është thjesht një formë shprehjeje artistike. Shkrimi është një proces përmes të cilit studenti mëson të vëzhgojë, të analizojë, të strukturojë mendimin, të argumentojë dhe të komunikojë. Kur këto aftësi ndërthuren me mjetet dhe kompetencat digjitale, krijohet një hapësire e re për të nxënit aktiv, krijues dhe bashkëpunues.
AADE me anë të programit READ ka arritur një zgjidhje gjeniale që të lidhë shkencetarët e Diasporës me ata të universiteteve shiptare. Universiteti ynë është në toplistën e universiteteve shiptare për numrin dhe buxhetin e projekteve të fituara nga READ. Falënderoj READ dhe AADF për qëndrimin e tyre ndaj Universitetit tonë në projektet READ dhe jo vetem”.
Rëndësinë që merr ky projekt në zhvillimin e kompetencave të studentëve drejt të menduarit kritik theksoi edhe dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, ndërsa u nënvizua edhe natyra e mirëfilltë kërkimore e projektit, i cili do të ketë një impakt të rëndësishëm për infrastrukturën e departamentit të Gjuhëve të Huaja dhe rrjedhimisht për Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli”.
Prof. as. dr. Xhenet Aliu, profesore e shkrimit krijues në Universitetin e Karolinës së Veriut në Greensboro dhe dr. Arsinela Musha, pedagoge e gjuhës angleze, si gjuhë e dytë nga Quinsigamond Community College, Worcester, MA, janë dy studiueset nga Diaspora, të cilat do të kontribuojnë në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e modulit të shkrimit krijues të integruar në kurset ekzistuese të letërsisë dhe gjuhës.

















