Në datën 23 shtator 2026 në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë u prezantua projekti “Krijimi i Normës Referencë pa risk: primet e maturitetit, likuiditetit dhe struktura e tregut në Shqipëri” i fituar në kuadër të Programit READ.
Koordinatorja e projektit, dr. Sorina Koti shprehet se për herë të parë zbatohet një projekt i cili analizon tregun e kapitaleve në Shqipëri, duke përdorur metodat më të fundit perëndimore në përcaktimin e normave të interesit për likuiditetin.
Rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, ndërsa vuri edhe një herë në dukje mundësinë që AADF nëpërmjet programit READ krijon për bashkëpunimin midis shkencëtarëve të Diasporës me ata të universiteteve shqiptare, u ndal në risitë e këtij projekti: “Në rastin tonë grupi i pedagogeve nga Universiteti ynë me koordinator, dr. Sorina Koti ka homologun e vet nga Diaspora, prof. asoc. dr. Arben Kita nga Universiteti i Liverpulit. Vetë tema e projektit është një tregues i qartë i natyrës se tij: bëhet fjalë për një fushë ku ndërthuren kërkimi akademik, ekonomia financiare, tregjet e kapitalit, politika monetare dhe infrastruktura e tregjeve financiare. Koncepti i normës pa rrezik (risk-free rate) është një element themelor në financë. Ai shërben si pikë reference për vleresimin e aktiveve financiare, për përcaktimin e kostos së kapitalit, për analizën e investimeve dhe për një sërë vendimmarrjesh financiare. Në një ekonomi si Shqipëria, ku tregjet financiare janë ende në proces zhvillimi dhe thellimi, ndërtimi i një kuadri të qëndrueshëm dhe të mbështetur në evidencë për normën pa rrezik merr një rëndësi të veçantë. Ky projekt është veçanërisht interesant, sepse nuk e trajton këtë çështje në mënyre të izoluar. Ai vendos në qendër tre dimensione të rëndësishme: term premium, liquidity dhe market design”.
Takimin e përshëndeti edhe dekania e FE, prof. as. dr. Aida Gabeta, e cila përgëzoi për këtë nismë grupin e punës dhe dy drejtuesit e projektit dhe njëkohësisht vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë, që do të stimulojë ky projekt midis Universitetit “Fan S. Noli”, Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Institucioneve Financiare.
Prof. asoc. dr. Arben Kita nga Universiteti i Liverpool-it, Mbretëria e Bashkuar është pjesë e këtij projekti dhe do të angazhohet në ndërtimin e modelit dhe zbatimin e metodologjive financiare. Rezultatet e projektit do jenë pjesë e rekomandimeve, për Bankën e Shqipërisë.
Vlerësime për projektin, mënyrën e zbatimit dhe përfitimet që do të dalin prej tij dhanë më pas edhe anëtarët e tjerë të grupit të punës dhe kolegë të pranishëm në takim.






















