Në datën 16 prill 2026 grupi i pedagogeve të Fakultetit të Bujqësisë, të cilët po zbatojnë projektin “Vlerësimi i cilësive fiziko-kimike dhe biologjike të ujërave që përdoren për ujitjen e kulturave bujqësore në fushën e Devollit”, projekt i mbështur nga Agjencisë Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion (AKKSHI), zhvilloi takime prezantuese të studimit të bërë në këtë kuadër.
Takimet u zhvilluan me maturantë dhe staf pedagogjik të shkollës së mesme Miras, si dhe me drejtues e specialistë të institucioneve të bujqësisë të Bashkisë Devoll, ku të pranishëm ishin edhe pedagogë të FB, UNIKO, fermerë etj.
Në emër të grupit të punës të këtij projekti, prof. as. dr. Adrian Maho dhe dr. Sulltana Ajçe i njohën të pranishmit me qëllimin dhe çështjet kryesore të këtij projekti
Duke iu referuar faktit se bujqësia me ujitje është e varur jo vetëm nga sasia e mjaftueshme e ujit, por edhe nga cilësia e mirë e tij, u theksua se uji i një cilësie të mirë ndikon në rendiment maksimal të kulturave bujqësore.
Më tej, ata folën për ndikimin e aktivitetit njerëzor në këtë drejtim, për ndërgjegjësimin e komunitetit, për praktikat miqësore me mjedisin etj.
Gjetjet kryesore të projektit janë se ujërat e lumit Devoll vlerësohen të Klasës 2 në rrjedhën e sipërme dhe të Klasës 3 në rrjedhën e mesme. Këto ujëra nuk janë të përshtatshme për kulturat ushqimore që konsumohen të freskëta, por mund të përdoren për prodhimin e kulturave të tjera bujqësore.
Në këto kushte rekomandohet që përmirësimi i cilësisë së ujërave të lumit Devoll mund të realizohet nëpërmjet instalimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në fshatrat e rrethit Devoll dhe të qytetit të Bilishtit. Pyllëzimi dhe përdorimi i praktikave të mira bujqësore mund të kontribuojë në përmirësimin e ekosistemit bujqësor në përgjithësi dhe atij të ujërave në veçanti. Ujitja me pika është një zgjedhje e mirë për perimet e njoma.
Falënderime u përcollën nga grupi i punës edhe për mbështetjen e AKKSHI-it dhe të departamentit të Agronomisë në kryerjen e këtij studimi.













