Dekani është drejtues i Fakultetit dhe përfaqësues ligjor i tij. Ai zgjidhet për një mandat 4-vjeçar dhe nuk mund të zgjidhet në këtë detyrë për më shumë se dy mandate radhazi. Dekani i Fakultetit zgjidhet nga personeli akademik, nga personeli joakademik dhe nga studentët e fakultetit, sipas mënyrës së përcaktuar në ligjin nr.9741, dt. 21. 05. 2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në rregulloren e zgjedhjeve.
Dekani duhet të ketë të paktën titullin “Profesor i asociuar” ose gradën shkencore“Doktor”(“PHD”), të fituar pranë universiteteve perëndimore dhe me përvoje akademike në
këto universitete.
Dekani i Fakultetit, ushtron këto kompetenca:
drejton dhe kontrollon të gjithë punën mësimore e shkencore në fakultet dhe njësitë e tjera në varësi të tij;
ndjek zbatimin e programeve të studimit dhe të kurrikulave;
emëron përgjegjësit e zgjedhur të departamenteve;
përgatit propozimin përkatës për vendimmarrjet e Këshillit të Fakultetit për probleme të ndryshme;
përgjigjet para Këshillit të Fakultetit për mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor në fakultet;
i propozon Këshillit të Fakultetit hapjen, mbylljen, reformimin e kurrikulave, të departamenteve apo të njësive të veçanta në fakultet;
i propozon Këshillit të Fakultetit pjesëmarrjen në projekte brenda apo jashtë vendit,
ofrimin e shërbimeve të ndryshme për të tretë, hapjen e qendrave, kurseve, si dhe çdo çështje në lidhje me sa më sipër;
ushtron kontrolle për cilësinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor, të zbatimit të kontratave të punës, si dhe të çdo detyrimi tjetër të marrë përsipër nga departamentet apo personeli i fakultetit;
Përcaktimi më i detajuar i kompetencave të dekanit bëhet në rregulloren e Universitetit.
Dekani, në ushtrimin e kompetencave të tij, shprehet me urdhra dhe udhëzime.