Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

PROF. AS. DR. JONELA SPAHO PROMOVOI MONOGRAFINË E SAJ “KRISTO FLOQI, JETA DHE VEPRA E TIJ”

Në datën 15 tetor 2021 prof. as. dr. Jonela Spaho promovoi monografinë e saj “Kristo Floqi, jeta dhe vepra e tij”. Veprimtaria erdhi si një bashkëpunim i Universitetit “Fan S. Noli”, Bashkisë Korçë dhe Tetarit A. Z. Çajupi. Fillimisht prof. Jonela Spaho falënderoi organizatorët dhe të pranishmit në këtë veprimtari. Ajo u ndal më pas në figurën poliedrike të Kristo Floqit, si një ndër politikanët, shkrimtarët dhe juristët më në zë të Shqipërisë. “Ishte rastësi takimi me këtë autor, studimet dhe kërkimet për të cilin i nisa me skepticizëm, pasi pluhuri i kohës kish mbuluar gjithçka. Fillova të kërkoj material e të dhëna për punën, jetën dhe veprën e tij në bibliotekat tona, në arkivin e shtetit e deri në bibliotekën e Bostonit, SHBA. Më pas, ishte puna ajo që më tregoi rrugën deri sa mbërrita në përfundim të kësaj monografie. Kristo Floqi është marrë gjatë me politikë dhe me levizjen patriotike, por mjaft interesant ishte edhe kontributi i tij në letërsi. Vepra e Kristo Floqit është histori krenarie”.
Më pas, pedagogia e UT, prof. as. dr. Lili Sula u ndal në disa karakteristika të librit dhe kryesisht mbi figurën e Kristo Floqit, për të cilën u deshën vite pune për ta ndriçuar dhe për ta sjelle kaq të plotë në këtë monografi. “Vlerësime për punën kolosale të prof. Jonelës. Kontributi i saj qëndron te një figurë e plotë politike, historike dhe kulturore një studim, i cili vjen 100 vjet pas krijimtarisë së Kristo Floqit”.
Vlerësime për këtë monografi dhe për punën e profesore Jonela Spahos përcolli edhe rektori i UNIKO, prof. Dr. Dhimitri Bello. “Duke parë se sa shumë ke punuar për këtë botim do ta quaja këtë monografi librin tënd të jetës. Ti e ke rilindur sërisht Kristo Floqin një figurë me vlera të mëdha edhe në fushën e gjuhës shqipe”.
Muzikologu Pandi Bello bëri një pasqyrë të kontributit të Kristo Floqit në këngët dhe kulturën korçare, duke e cilësuar atë si një rast të rrallë të dimensioneve të tilla në krijimtarinë shqiptare.
Pedagogët e departamentit të letërsisë, dr. Ilir Shyta dhe dr. Eris Rusi, si miq dhe kolegë të prof. Jonelës u ndalën ndër të tjera edhe në disa karakteristika të veçanta që lidhen me mënyrën se si ajo e ka sjellë këtë libër, që nga zgjedhja e kopertinës, trajtimi i historisë dhe vënia në dukje e madhështisë të figurës së Kristo Floqit.
Vlerësime në këtë veprimtari, përcolli edhe dekania e Fakultetit të Ekonomisë, UNIKO, prof. as. dr. Ledina Alolli, pedagogë miq e dashamirës të artit me diskutimet e tyre dhe shkëmbime mendimesh.  
Pjesë nga krijimtaria letrare e Kristo Floqit u recituan nga aktoret Zamira Kita e Blerta Belliu dhe u kënduan nga këngëtarja Laxarela Deti.

Leave a Reply

sqAlbanian