Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

“VARRET PA EMËR”-DOKUMENTAR I SHFAQUR PËR STUDENTË E PEDAGOGË TË DEPARTAMENTIT TË HISTORI-GJEOGRAFISË NË NJË VEPRIMTARI TË PËRBASHKËT TË ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI NË BASHKËPUNIM ME FONDACIONIN “KUJTO.AL”

Në datën 16 dhjetor 2021, në mjediset e Amfiteatrit të FEF u zhvillua një veprimtari ndërgjegjësuese në të cilën u prezantua dokumentari “Varret pa emër”. Veprimtaria u organizua nga Fondacioni “Kujto. al” në bashkëpunim me departamentin e Histori-Gjeografisë. Të ftuar ishin pedagogë e studentë të këtij departamenti, si dhe ish-të përndjekur politikë e familjarë të tyre. Në fjalën e hapjes përgjegjësi i departamentit, phd. Metin Venxha përgëzoi organizatorët për nismën e guximshme të ndërmarrë prej tyre. Ai u ndal në simbolikën e veçantë që përcjell prania në këtë takim e ish-të përndjekurve nga njëra anë si vuajtës të pasojave të regjimit totalitar dhe nga ana tjetër prania e studentëve si përçues të historisë së vendit.

Më pas, gazetarja e dokumentarit, znj. Najada Pendavinji theksoi se veprimtaria ka për qëllim ndarjen e memories me brezin e ri me synimin për të mbajtur gjallë kujtesën dhe veçanërisht për periudhën e regjimit komunist (1944-1991). Sipas saj dokumentari “Varret pa emër” sjell historinë e zhdukjes së mijëra shqiptarëve gjatë regjimit komunist nëpërmjet dëshmive të familjarëve dhe dokumenteve arkivore, projekt i cili do t’u mundësojë studiuesve shqiptarë dhe të huaj informacion bazë mbi këtë fushë.

Më pas, drejtorja e Fondacionit, znj. Blerina Gjoka dhe regjisorja e dokumentarit, znj. Admirina Preçi falënderuan Departamentin dhe Fakultetin për mikpritjen, të pranishmit, si dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e dokumentarit, i cili u dha zë edhe mjaft historive të panjohura deri më sot.

Edhe ish-të përndjekurit dhe familjarë të tyre shprehën falënderime të sinqerta për këtë nismë, e cila risolli në vëmendje historitë e tyre.

Në fund, këngëtari korçar Tomi Kondakçi përshëndeti të pranishmit me një nga këngët më të njohura të repertorit të këngëtarit Sherif Merdani, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë.

Leave a Reply