Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

U PROMOVUA NË UNIKO LIBRI “MIQËSI NËPËR KOHËRA”-PËRBASHKËSI SHQIPTARO-RUMUNE E AUTORËVE MIRCEA PERPELEA DHE MARCEL N. POPESKU

Në datën 5 Nëntor 2020, në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë u përurua libri “Miqësi nëpër kohëra”-përbashkësi shqiptaro-rumune, me autor ambasadorin e Rumanisë në Tiranë, prof. Mircea Perpelea, si dhe z. Marcel N. Popesku. Takimin e hapi përgjegjësja e departamentit të Gjuhës Angleze, phd. Daniela Stoica, e cila tha se organizatore e këtij promovimi është Qendra Rumune e Informacionit, Korçë me mbështetjen e Universitetit “Fan S. Noli” dhe Ambasadës Rumune në Tiranë, ndërsa falënderoi përfaqësues të pushtetit lokal, kishës arumune, pedagogë e të ftuar të tjerë për praninë e tyre në këtë takim. Në fjalën e saj dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho vlerësoi librin për çështjet e trajtuara me shumë vërtetësi, si dhe për mesazhin që ai përcjell në lidhje me miqësinë e hershme midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Më pas, të pranishmit i përshëndeti edhe Konsulli i Nderit i Konsullatës Rumune në Korçë, z. Elvis Toçi, i cili shprehu edhe njëherë kënaqësinë për vazhdimësisë ndër vite të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy popujve tanë miq. Më pas e mori fjalën Ambasadori i Rumanisë, njëkohësisht edhe bashkëautor i librit, prof. Mircea Perpela, i cili ndau me të pranishmit emocione të veçanta sa herë që vjen në qytetin e Korçës dhe veçanërisht në UNIKO, ku ka gjetur gjithmonë miq shumë të mirë. Ai tha se këtë libër e sjell në mbyllje të mandatit të tij si ambasador me dëshirën për t`ua lënë atë brezave që do të vijnë. “Miqësi nëpër kohëra” përcjell mesazhin se: në të shkuarën, në të tashmen, por edhe në të ardhmen miqësia midis Shqipërisë dhe Rumanisë do të vazhdojë dhe për këtë një meritë të veçantë ka luajtur ndër vite komuniteti arumun i Korçës. Përgjegjësja e departamentit të Gjuhës Angleze, phd. Daniela Stoica vlerësoi librin, duke e parë atë si një burim historik me temë miqësinë shqiptaro-rumune, si dhe rolin e arumunëve në këtë kontekst.

Së fundi, ambasadori Perpelea me dëshirën për të lënë gjurmë miqësie në këtë qytet, vlerësoi për rolin që ka luajtur në vijimësinë e kësaj miqësië përgjegjësen e departamentit të Gjuhës Angleze, phd. Daniela Stoica. Për bashkëpunimin ai vlerësoi edhe kryetarin e Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, dekanen e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, Konsullin e Nderit të Kosullatës Rumune, Korçë z. Elvis Toçi,  , si dhe familjen Veriga.

Libri “Miqësi nëpër kohëra”-përbashkësi shqiptaro-rumune vjen për lexuesit në gjuhën rumune dhe në atë shqipe, i përkthyer nga z. Kopi Kyçyku.

Leave a Reply