Në datën 30 prill 2025 u nënshkrua në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli” marrëveshja mes Këshillit të Qarkut Korçë dhe programit TIKA për ngritjen e një Data Center-i pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, UNIKO.
Në takimin e zhvilluar mes drejtuesve të Këshillit të Qarkut Korçë, UNIKO dhe programit TIKA u diskutua ngritja dhe funksionimi i kësaj qendre të teknologjisë së lartë, e cila pritet të jetë në shërbim të stafit dhe studentëve me fillimin e vitit të ri akademik.
Për rektorin e UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi ngritja e kësaj qendre është një hap i rëndësishëm për transformimin e Universitetit “Fan S. Noli” në një qendër ekselence për rajonin tonë.
Falënderimet e tij për këtë bashkëpunim të suksesshëm ndërinstitucional përcolli edhe dekani i FSHNH, prof. as. dr. Rafail Prodani. Ai tha se ky investim në teknologjinë e lartë do të jetë një pikë referimi për punën shkencore të të gjithë Universitetit.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Erion Nexhipi dhe koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), z. Mustafa Ata nënvizuan se ngritja e kësaj qendre mundësohet në kuadër të projektit “Infrastruktura e Shkallëzuar e Përpunimit të të Dhënave për Hulumtim Bashkëpunues ndërmjet Fakulteteve të UNIKO”.
Përfshirja e Inteligjencës Artificiale në fushat e bujqësisë, ekonomisë, mjekësisë dhe kërkimeve ndërdisiplinore do të mbështesë punën e pedagogëve, studiuesve dhe studentëve, si një hapësirë moderne që promovon bashkëpunimin dhe kërkimet inovative në zhvillimin gjithëpërfshirës të rajonit tonë.

















