Në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë ka nisur Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve (PKZHPM) 2026–2028 për të gjithë mësuesit në sistemin arsimor parauniversitar, duke përfshirë mësuesit e arsimit parashkollor, mësuesit e arsimit fillor, mësuesit e AMU-së dhe mësuesit e AML-së. Programi financohet nga Ministria e Arsimit, realizohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar në bashkëpunim me universitetet publike në vend dhe ofrohet falas për mësuesit që marrin pjesë.
Universiteti “Fan S. Noli” do të realizojë trajnimin e mësuesve të ZVAP-ve Korçë – Pustec, Maliq, Pogradec, Devoll, Kolonjë dhe Përrenjas. Trajnimet zhvillohen çdo fundjavë në koordinim me DRAP-in Korçë.
Sipas koordinatorit institucional të PKZHPM-së në Universitetin e Korçës dr. Olger Brame, gjatë këtij viti do të trajnohen rreth 2600 mësues të arsimit parauniversitar të këtij rajoni, në të gjitha profilet, me fokus përditësimet kurrikulare, përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në mësimdhënie, duke synuar përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit.



























