“NJË QASJE NDËRDISIPLINORE PËR MOSHËN E TRETË” – DEPARTAMENTI I SHKENCAVE SOCIALE PREZANTON PROJEKTIN FITUES, I CILI FINANCOHET ME FONDET E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” PËR VITIN 2026

Në datë 18 qershor 2026 gjatë një takimi të organizuar në mjediset e FSHNH, dr. Suela Dinellari (Ibraimllari) koordinatore e projketit dhe Msc. Viola Dolani, pjesë e grupit të punës prezantuan objektivat kryesorë, veprimtaritë që do të realizohen, si dhe përfitimet e pritura në përputhje me treguesit e përcaktuar të performancës në projktin “Nga analiza e nevojave në pilotim: një qasje ndërdisiplinore për shërbimet ndaj të moshuarve – Rast studimi Qarku i Korçës”.
Ideuar një vit më parë, ky projekt paraqitet në vazhdim të punës jo vetëm mbi përmirësimin e kurrikulës për programin “Shërbime Sociale”, por edhe në konsolidimin e marrëveshjeve ndërinstitucionale të departamentit me Këshillin e Qarkut të Korçës, Fondacionin Emanuel dhe Kryqin e Kuq, Dega Korçë, si dhe në ofrimin e ekspertizës shkencore në shërbim të komunitetit. Ky projekt sjell në vëmendje një nga sfidat më të mëdha të rajonit, që i referohet tranzicionit demografik dhe izolimit të moshës së tretë.
Në takim ishin të pranishëm staf akademik, përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Sociale të Bashkive të Qarkut të Korçës, OJF-ve, si dhe staf nga Sektori i Projekteve, Trajnimit Shkencor dhe Shërbimeve Terciare, UNIKO, të cilët u uruan suksese pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës në projekt, si dhe institucioneve të përfshira.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e projektit në adresimin e nevojave të moshës së tretë dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universitetit, institucioneve vendore dhe organizatave të shoqërisë civile. Projekti pritet të kontribuojë në zhvillimin e modeleve inovative të shërbimeve sociale, duke mbështetur njëkohësisht kërkimin shkencor dhe përfshirjen aktive të studentëve në procese me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet.
Previous Post
Hapet thirrje për mobilitet studentor afatshkurtër në Rumani!
Next Post
THIRRJE PUBLIKE PËR SHPREHJE INTERESI