Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

FAKULTETI I EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË, NË VIJIM TË VEPRIMTARIVE ME RASTIN E THEMELIMIT TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, ORGANIZOI KONFERENCËN STUDENTORE ME PUNIME TË STUDENTËVE TË DEPARTAMENTEVE TË TIJ

Në datën 11 qershor 2021, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, në vijim të veprimtarive me rastin e themelimit të Universitetit “Fan S. Noli”, zhvilloi konferencën studentore me punime të studentëve të katër departamenteve të tij. Në fjalën e hapjes dekania, prof. as. dr. Jonela Spaho tha se kjo konferencë synon gjithëpërfshijen e studentëve për të prezantuar punimet e tyre për të promovuar idetë, vlerat dhe talentet kërkimore, nxitjen e dëshirave të tyre për t`u bërë zëri i së ardhmes, promovimin e përpjekjes së tyre në drejtim të përgatitjes akademike, shkencore dhe profesionale. Ajo theksoi se “Kërkimi shkencor është baza e arsimit të lartë dhe e edukimit, motor i inovacionit, i konkurrencës dhe i cilësisë së mësimdhënies. Sigurisht që kërkimet shkencore të realizuara nga stafi akademik janë të një rëndësie të lartë, por një rëndësi tepër të veçantë kanë edhe studimet e realizuara nga studentët”.

Uroi studentët edhe rektori, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili i përgëzoi për punimet cilësore dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të stafit të Universitetit “Fan S. Noli”, duke qenë vazhdimisht në mbështetje të punës kërkimore-shkencore, si dhe për krijimin e mundësive për mobilitete të studentëve me qëllim marrjen e përvojave të reja edhe nga universitetet evropiane.

Në këtë konferencë ka përshëndetur edhe studentja e programit të studimit “Master profesional” në “Mësues i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë”, Anxhela Lilo. Ajo falënderoi stafin akademik për frymën e besimit dhe mbështejen e vazhdueshme, që mundësoi kapërcimin me sukses të sfidave të krijuara nga pandemia gjatë kësaj periudhe.

Pas seancës plenare, konferenca i vijoi punimet në dy sesione paralele. Në sesionin e parë prezantuan punimet e tyre studentë të programeve të studimit “Bachelor” dhe “Master” në “Arsim fillor” dhe “Histori-Gjeografi” dhe në sesionin e dytë u prezantuan punimet e programeve të studimit “Gjuhë dhe Letërsi” dhe “Gjuhë Angleze”.

Në fund të konferencës u ndanë edhe certifikata për studentët pjesëmarrës.

Leave a Reply