30 qershor 2025- Me pasionin dhe energjinë e studentëve, u krijua “Episodi 0” – një shfaqje që ndërthur humorin me reflektimin, fjalën me skenën dhe hijen me dritën.
Shfaqja u organizua nga Këshilli Studentor, në mbështetje të nismës së studentëve Elefteria Ameda dhe Garip Licenji, me kontributin e Renato Taip dhe Roxhers Nexhpi, një nismë që gjeti menjëherë edhe mbështetjen e Qendrës së Artit dhe Kulturës, Korçë.
Ideja nisi si një dëshirë për të sjellë diçka të re në jetën studentore. Krahas pjesës akademike studentët krijuan edhe një hapësirë ku talenti, bashkëpunimi dhe krijimtaria të shprehen lirshëm edhe në skenë.
Titulli “Episodi 0” u zgjodh si pikënisje e një tradite të re teatrale që nis në Universitetin “Fan S. Noli”. Nëntitulli “Hija e asaj që do të vijë” simbolizon kalimin nga komedia në dramë, duke reflektuar thellësinë dhe zhvillimin artistik të shfaqjes.
Shfaqja tërhoqi vëmendjen jo vetëm të studentëve, por edhe të mjaft qytetarëve të Korçës, të cilët e ndoqën me emocion për disa mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit “Andon Z. Çajupi”, duke dhuruar për këta artistë të rinj duartrokitje të merituara.
Suksese studentëve tanë “artistë” edhe në veprimtari të tjera po kaq të këndshme e të veçanta.
















