“DUKURI TË NDËRGJUHËS TE FOLËSI SHQIPTAR ME ITALISHTEN SI GJUHË E DYTË”-LEKSION I HAPUR NGA DR. VALBONA SINANAJ

Në datën 20 maj 2025 në mjediset e Bibliotekës së Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë, u zhvillua leksioni i hapur me temë “Dukuri të ndërgjuhës te folësi shqiptar me italishten si gjuhë e dytë”, veprimtari kjo e mundësuar nga departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë.

Leksioni u mbajt nga dr. Valbona Sinanaj, studiuese pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, njëherësh pedagoge e jashtme pranë #DepartamentittëGjuhësdheLetërsisë në FEF.

Të pranishëm në këtë orë të hapur ishin pedagogë dhe studentë të programeve “Gjuhë-Letërsi” dhe “Gjuhë angleze”.

Dr. Sinanaj bëri një paraqitje të detajuar të mënyrës se si gjuha amtare (shqipja) ndikon në përvetësimin e italishtes si gjuhë e dytë, sidomos në kontekste formale dhe në stilin e ligjërimit.

Leksioni përfshiu gjithashtu analiza akustike të të folurit të folësve shqiptarë dhe italianë, me paraqitje vizuale të spektogramëve. Këto të dhëna u shoqëruan me reflektime mbi ndikimin e faktorëve jashtëgjuhësorë në mënyrën e të folurit në një gjuhë të dytë.

Të pranishmit morën pjesë aktivisht me pyetje dhe diskutime, duke dëshmuar vlerën shkencore dhe pedagogjike të kësaj veprimtarie.

Previous Post
“FORMULIMI I ARGUMENTIT DHE KOMUNIKIMI” –TRAJNIM ME STUDENTË TË KLUBEVE TË DEBATIT TË FEF DHE FE
Next Post
NJOFTIM PËR 10 VENDE TË LIRA PUNE NË BASHKINË DEVOLL