BASHKËPUNIMI-NJË GRUP NXËNËSISH TË SHKOLLËS SË MESME TË BASHKUAR “DËSHMORËT E POJSKËS”, UDËNISHT VIZITUAN UNIKO

Në datën 23 tetor 2025 nxënës të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Dëshmorët e Pojskës”, Udënisht vizituan Universitetin “Fan S. Noli” për të parë nga afër dhe për t`u njohur me jetën në këtë Universitet.
Sektori i Karrierës Studentore dhe Alumnit, UNIKO vijon bashkëpunimin me stafet e mësuesve dhe këshilltarëve të karrierës në shkollat e mesme të qarkut tonë me qëllim informimin dhe njohjen nga afër të nxënësve me veprimtarinë akademike, infrastrukturore dhe studentore të Universitetit, duke i ndihmuar ata në orientimin drejt studimeve të larta.
 Nxënësit të shoqëruar edhe nga drejtues e mësues të shkollës së tyre u pritën fillimisht nga përgjegjësi i SKSA-së, dr. Romeo Terolli. Takimin e parë ata e zhvilluan në mjediset e Senatit Akademik, ku u takuan me rektorin, prof. dr. Lorenc Ekonomi dhe zëvendësrektorin për mësimin, prof. as. dr. Lorena Zeqo. Rektroi i njohu të rinjtë me veprimtarinë që zhvillon Universiteti “Fan S. Noli” në tërësi dhe në veçanti me veprimtarinë akademike e jashtëkurrikulare të studentëve.
Pasi vizituan mjediset e Rektoratit, ndalesat e radhës ishin fakultetet, ku stafi akademik i njohu me punën që zhvillohet në laboratorë, në qendrat e ngritura në kuadër projektesh, në auditorë, në biblioteka etj.
Krahas infrastrukturës, në këto takime të rinjtë treguan interes edhe për programet e studimit, mundësitë e zhvillimit profesional, diplomat e dyfishta, mundësitë për mobilitete që ofron universiteti në partneritet me universitetet e Bashkimit Evropian etj.
Veprimtari të tilla forcojnë lidhjet ndërmjet arsimit të mesëm dhe atij të lartë, duke nxitur ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e përzgjedhjes së drejtë të karrierës dhe studimeve universitare.
Falënderojmë për këtë bashkëpunim të gjithë nxënësit e pranishëm, drejtoreshën e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Dëshmorët e Pojskës”, znj. Ermira Ademaj, koordinatoren e edukimit për karrierën, znj. Denisa Bogdani dhe mësuesin e gjuhës shqipe në këtë shkollë, z. Arianit Isufi për gatishmërinë dhe mbështetjen.

Previous Post
NJOFTIM PËR 21 VENDE TË LIRË PUNE NË BASHKINË KOLONJË
Next Post
KONFERENCA ME FOKUS INOVACIONIN, SIPËRMARRJEN DHE SPECIALIZIMIN SMART PËRMBYLLI PROJEKTIN ERASMUS+ CBHE SMART – SMART INNOVATION FOR NEXT GENERATION