ARSIMI SPECIAL NË FOKUS: PROMOVIM LIBRASH, SHKËMBIM PËRVOJASH DHE BASHKËPUNIM

Në datën 28 maj 2026 departamenti i Edukimt, Universiteti “Fan S. Noli” organizoi promovimin e librave me autor prof. Viktor Lami: “Mësuesi përballë nxënësit me nevoja të veçanta edukative: Konkretisht,çfarë të bëj”? dhe “4V të rëndësishme në punën e edukatorit dhe mësuesit të specializuar: Vëzhgoj, Vlerësoj, Vendos, Veproj”.

Takimi u zhvillua në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë me pjesëmarrjen e pedagogëve, mësuesve, studentëve të programeve të mësuesisë dhe profesionistëve të fushës së arsimit gjithëpërfshirës dhe pedagogjisë speciale.

Në hapje të tij, pedagogu Arjan Kamburi theksoi se qëllimi i takimit është prezantimi i librave, por njëkohësisht edhe i përvojave konkrete nga puna me nxënës dhe të rinj me aftësi të kufizuara.

Përshëndetën të pranishmit edhe përgjegjësja e departamentit të Edukimit, dr. Albina Pajo dhe dekani i FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, duke vlerësuar përvojën shumëvjeçare të profesor Lamit në arsim, por edhe kontributin e spikatur që ai ka dhënë në fushën e arsimit gjithëpërfshirës. Profesor Viktor Lami ka punuar për 10 vite në Kantonin e Fribourg-ut në Zvicër si mësues i specializuar.

Takimi vijoi me “Përsiatje rreth rëndësisë dhe kontributit të botimeve të profesor Lamit në pedagogjinë speciale”, nga prof. dr. Irena Nikaj.

Më pas, prof. Lami foli me detaje për hartimin e të dy librave, duke u ndalur në metodat teorike dhe praktike që ato sjellin për mësimdhënien e specializuar.

Pas promovimit takimi vijoi me diskutime e pyetje nga të pranishmit drejtuar përgjegjëses së Departamentit, dr. Albina Pajo, koordinatorit të Qendrës për Formimin e Vazhduar, dr. Olger Brame dhe koordinatorit të Praktikave të Programit të Studimit Master Profesional në “Mësues për Arsimin Special”, Arjan Kamburi.

Konkretisht u fol mbi mundësitë e bashkëpunimit më të thellë me Shërbimet e Specializuara të Zvicrës, me qëllim shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ngritjen e Laboratorit për Arsimin Special në Universitetin “Fan S. Noli”.

Previous Post
TAKIM LETRAR ME SHKRIMTARIN ODISE KOTE NË FAKULTETIN E EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË
Next Post
Project: GREEN IMPACT-Global Resilience through Educational Environmental Networks for Institutional Management, Professional Advancement and Community Transformation