Në datën 30 tetor 2025, Muzeu i Bukureshtit, një institucion partner me Universitetin “Fan S. Noli” organizoi në Pallatin Shutsu, veprimtarinë e radhës në kuadër të Konferencave të së Enjtes, këtë herë kushtuar dialektit, kulturës dhe identitetit të arumunëve që jetojnë në Jug të Danubit.
Në konferencën me titull “Dialekti arumun nga fjala në fjali” mori pjesë online edhe pedagogia e Universitetit “Fan S. Noli” prof. as. dr. Daniela Stoica. Sipas saj veprimtari të tilla krijojnë mundësi për bashkëpunime e shkëmbime përvojash.
Eventi mblodhi së bashku studiues të shquar të cilët vetëm para disa javësh vizituan UNIKO në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional: Akad. Nicolae Saramandu, prof. dr. Manuela Nevaci dhe dr. Irina Floarea (Universiteti i Bukureshtit, Akademia Rumune, Shoqata e Kulturës Maqedonase-Rumune), prof. as. dr. Catalin Constantin (Universiteti i Bukureshtit), prof. Adrian Mazhuru, drejtor i Muzeut të Bukureshtit.
Gjatë konferencës, u prezantua edhe botimi “Carți trâ învițare rămănește” (vëll. II) – një libër shkollor për mësimdhënien e dialektit arumun, vepër e cila u prezantua edhe për stafin dhe studentët e Universitetit tonë. Me rastin e bashkëpunimit të Universitetit të Korçës me Universitetin e Bukureshtit dhe Akademinë Rumune libri është cilësuar si një burim i vlefshëm gjuhësor dhe kulturor brenda qarqeve akademike dhe të komunitetit arumun në Shqipëri dhe Rumani.








