Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

MESAZHI MË I BUKUR QË MUND TË PËRCILLTE UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” NË KUADËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE TË BAMIRËSISË, E CILA PËRKON EDHE ME DITËN E SHENJTËRIMIT TË SHENJT TEREZËS ISHTE NISMA SË CILËS IU BASHKUAN INSTITUCIONE, OJF DHE BIZNESE TË RAJONIT TË KORÇËS PËR TË MBËSHTETUR NË KËTË DITË ATA QË KANË MË TEPËR NEVOJË

Në datën 2 shtator 2022 në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë, Ditës së Shenjtërimit të Shenjt Terezës, Universiteti “Fan S. Noli” ndërmorri nismën për organizimin e një panairi bamirësie. Nën moton “Të gjithë bashkë pranë njerëzve në nevojë” Universitetit iu bashkua në këtë veprimtari ndërgjegjësuese Institucioni i Prefektit të Qarkut, Korçë; Bashkia Korçë; Qendra e Formimit Profesional; Fondacionet: “Emanuel”, “Dorcas Aid Albania”, “Kenedi” dhe “Duart që sigurojnë”; si dhe kompanitë “Dajana” dhe “Fix”. Ata mundësuan pako me ndihma ushqimore dhe gatime të ndryshme për njerëzit në nevojë në qytetin e Korçës. Në fjalën e saj, zëvendësrektorja për kërkimin dhe shkencën, dr. Benita Stavre theksoi: “Megjithëse modeste, kjo nismë bamirësie ka për qëllim t`i bëjë të rinjtë të kuptojnë se edhe në të përditshmen e tyre duhet të dinë të falin, të japin, të kenë ndjenjën e humanitetit”.

Edhe Prefekti i Korçës, z. Nertil Jole shprehu kënaqësinë që Institucioni që ai drejton i bashkohet nismës së Universiteti “Fan S. Noli” për të qenë solidarë dhe mbështetës për komunitetet dhe njerëzit në nevojë, duke dhënë mesazhin që vëmendja për ta të mos mungojë. Veprimtaria jep mesazhin që edhe nënë Tereza ka përcjellë nëpërmjet një prej shprehjeve të saj: “Ne ndoshta nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Fëmijët e Qendrës Ditore të Misionit Emanuel, të moshuarit që frekuentojnë Qendrën Ditore të fondacionit Dorcas Aid Albania dhe persona të tjerë nga familje në vështirësi ekonomike përcollën falënderimet e tyre të sinqerta për këtë organizim dhe ndihmat e ofruara.

Leave a Reply

sqAlbanian