Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” MORI PJESË NË KONFERENCËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE NË AGJENCINË E ZBATIMIT TË GJUHËS, SHKUP

Në datat 29-30 shtator 2022, në kuadër të bashkëpunimi institucional midis Universitetit “Fan S. Noli” dhe Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës në Republikën e Maqedonisë e Veriut, një grup pedagogësh nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë morën pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së me temë “Çështjet e standardizimit të toponimisë në RMV”, me rastin e 30 shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit.

Konferenca i zhvilloi punimet në amfiteatrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RMV-së, me pjesëmarrës nga institucione shkencore dhe arsimore nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi etj.

Në fjalën e tij, drejtori i AZGJ-së, prof. dr. Ylber Sela, ndër të tjera theksoi se tema e kësaj konference u zgjodh me kujdes sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe i referohet çështjeve të standardizimit të toponimisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij  bashkëpunimi ndërdisiplinor i vendosur i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës së RMV-së me institucionet shkencore dhe arsimore brenda dhe jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht me ato nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, mundëson diskutimin e dilemave dhe çështjeve që dalin nga procesi i standardizimit të toponimeve, me qëllim që procesi të jetë funksional, të zbatohet saktë nga pikëpamja gjuhësore dhe të zbatohet me sukses në tërësi. Në këtë kuadër ai theksoi edhe bashkëpunimin që AZGJ-ja dhe UNIKO kanë konkretizuar prej më se 1 viti.

Në këtë konferencë u bë edhe promovimi i përmbledhjes së punimeve shkencore “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale”, e cila ishte temë bosht e konferencës së vitit të kaluar, ku UNIKO kishte përfaqësuesit e tij me punime në këtë konferencë. Një  pjesë e këtyre botimeve u dhuruan për Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Korçës nga drejtori i AZGJ-së, prof. dr. Ylber Sela.

Leave a Reply

en_USEnglish