Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

U FESTUA 45-VJETORI I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” (NDERI I KOMBIT)

1

Ditën e premte, dt. 18.11.2016, në sallën e amfiteatrit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, u organizua Konferenca Jubilare  me rastin e 45-vjetorit të krijimit të Universitetit “Fan S. Noli” (Nderi i Kombit).  Në këtë veprimtari merrnin pjesë zv.kryeministri i Shqipërisë, z. Niko Peleshi, zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj, z. Arben Cici, shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues të universiteteve nga Shqipëria, Greqia, Kosova, Maqedonia, Bullgaria etj., përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të qarkut të Korçës, ish-drejtues e ish-punonjës të këtij Universiteti, përfaqësues të klerit, pedagogë e studentë.

Në fjalën e tij, rektori i këtij Universiteti, prof. dr. Ali Jashari, renditi një sërë arritjesh të Universitetit të Korçës ndër vite, si dhe parashtroi sfidat për të ardhmen. Të pranishmit i përshëndeti edhe zv. kryeministri, z. Niko Peleshi, i cili theksoi se  zhvillimi i Universitetit përkon me zhvillimin dhe ambiciet e qytetit. Mbështetja për arsimin është një prioritet, i cili e bën Korçën një qytet universitar dhe kryeqendrën e  Juglindjes dhe e rajonit ndërkufitar.

Në këtë konferencë jubilare foli edhe zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj, e cila tha se Universiteti i Korçës ka bërë një rrugëtim të suksesshëm, duke vendosur standarde dhe objektiva ambicioze për studentët dhe stafin akademik.

Z. Arben Cici lexoi mesazhin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili, ndër të tjera, shkruan: “Në mozaikun e larmishëm kulturor dhe arsimor të qytetit të Korçës, roli i Universiteti “Fan S. Noli” duket se është një vazhdimësi e logjikshme e “Mësonjëtores së Parë të Korçës”, “Liceut Francez”, Shkollës pedagogjike “Petro Nini Luarasi” etj., vatra të vërteta arsimdashëse, në të cilat dhanë mësim ose studiuan figura të spikatura intelektuale të mësimdhënies dhe personalitete të shkencës, kulturës, artit, me të cilat krenohet jo vetëm Korça, por e gjithë Shqipëria”. Po ashtu, në këtë Konferencë Jubilare kushtuar 45-vjetorit të krijimit të Universitetit “Fan S. Noli” floën edhe  drejtues të Universiteteve mike brenda e jashtë Shqipërisë.

Me këtë rast u shfaq dokumentari për historinë 45-vjeçare të Universitetit të Korçës, si dhe u vlerësuan me Çmimin “Fan Noli” dhe Diplomën “Medalje e Artë” disa pedagogë dhe drejtues të këtij Universiteti ndër vite. Të pranishmit vizituan dhe Muzeun që i kushtohet rrugës 45-vjeçare të Universitetit “Fan S. Noli”.

Grupet artistike të studentëve të Universitetit dhanë për pjesëmarrësit një koncert.

 

Leave a Reply