Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

“SFIDAT E BIZNESIT NË EPOKËN DIGJITALE”-KONFERENCË STUDENTORE E ORGANIZUAR NGA FAKULTETI I EKONOMISË I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, KORÇË

Në datën 9 qershor 2021, Fakulteti i Ekonomisë organizoi konferencën studentore me temë: “Sfidat e biznesit në epokën digjitale”, e cila vjen edhe në kuadër të 50-vjetorit të Universitetit “Fan S. Noli”. Konferencën e hapi dekania e FE, prof. as. dr. Ledina Alolli, e cila falënderoi për bashkëpunimin Fakultetin e Ekonomisë dhe Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, Universiteti “Fan S. Noli”; Fakultetin Ekonomik të Institutit Kanadez të Teknologjisë, CIT; Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Albanian University dhe Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ajo shprehu njëkohësisht falënderim dhe mirënjohje edhe për të gjithë pedagogët udhëheqës të studentëve, për punën, përkushtimin dhe mbështetjen që u kanë dhënë në realizimin e punimeve cilësore dhe mjaft aktuale për periudhën që po kalojmë: “Ky realitet i ri preku dhe institucionet arsimore në të gjitha ciklet dhe nivelet e studimit, ku u vu re rëndësia dhe roli i teknologjisë në mësmidhënie, por sigurisht edhe sfidat me të cilat u përballëm. Sfida që kërkojnë përgatitje dhe bashkëpunim për t`u kaluar”.

Në përshëndetjen e saj zëvendësrektorja për projektet dhe shkencën në Universitetin “Fan S. Noli”, dr. Benita Stavre përgëzoi bashkorganizatorët e kësaj veprimtarie, me besimin se kjo do të jetë e para e një kolane konferencash të përvitshme, duke krijuar mundësinë e diskutimeve më të gjera dhe më konkrete.  Ajo tha se ka ardhur koha që studentët ta shprehin në mënyrë të organizuar mendimin e tyre akademik, të ndiejnë se janë kontribues në jetën e Universitetit, të kuptojnë se  shfletimi i literaturës vendase dhe të huaj u hap horizonte të reja zbatimi në qytetin ku jetojnë, në biznesin ku do të punësohen apo edhe në profilin në të cilin do të diplomohen.

Konferencën e përshëndetën edhe prof. as. dr. Artur Jaupaj, dekan i Fakultetit Ekonomik, Instituti Kanadez i Teknologjisë, CIT, Tiranë dhe prof. as. dr. Enkeleda Llukovi, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Albanian University. Ata e vlerësuan organizimin e kësaj konference me një temë mjaft aktuale për realitetin e ri në të cilin na vendosi Covid-19, si dhe punimet e studentëve. Nëpërmjet komunikimit online ata sollën për pjesëmarrësit prirjet e reja dhe fushat e zhvillimit në epokën digjitale, duke e parë digjitalizimin si një proces që krijon mundësi zhvillimi dhe progresi për të gjithë sektorët.

Më pas, studentët prezantuan punimet e tyre në sallë dhe online, duke sjellë në to tema mjaft interesante dhe aktuale, si:  “Strategjitë marketing-Përdorimi i teknologjisë në restorantet e vogla”; “Përdorimi i statistikave të mediave sociale me qëllim hartimin e strategjisë së marketingut në rrjete sociale”; “Rëndësia e rrjeteve sociale në strategjinë e marketingut të kompanisë”; “Marketingu i produkteve farmaceutike në kuadrin e digjitalizimit”; “Mediat tradicionale kundrejt mediave online” etj. 

Leave a Reply