Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

REKTORI I UNIKO, PROF. DR. DHIMITRI BELLO PRITI NË NJË TAKIM PROF. MARCEL COURTHIADE, PROFESOR I GJUHËS DHE KULTURËS ROME NË UNIVERSITETIN E SORBONËS, FRANCË

Në datën 13 janar 2021, rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello priti në një takim profesorin e gjuhës dhe kulturës rome në Universitetin e Sorbonës, Francë, prof. Marcel Courthiade të shoqëruar edhe nga përfaqësues të komunitetit rom në qytetin e Korçës. Rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello falënderoi miqtë për vizitën dhe vlerësoi kontributin e vyer të prof. Courthiade për arsimimin dhe integrimin e komunitetit rom. Gjatë bisedës, prof. Courthiade e njohu Rektorin me disa nga botimet e tij për këtë komunitet, siç është abetarja e parë rome, fjalorë të ndryshëm apo dhe mjaft studime jo vetëm për romët e Shqipërisë, por dhe më gjerë. Gjatë bisedës, prof. Courthiade shprehu nevojën që ka komuniteti rom për instruktorë të gjuhës rome. Në këtë kuadër ai propozoi që, në bashkëpunim me UNIKO, të shihet mundësia për përfshirjen në kurrikulat e tij edhe të ndonjë lënde të veçantë mbi gjuhën, kulturën, dhe historinë rome. Edhe kryetari i shoqatës rome “Disutni Albania”, Korçë, z. Arben Kosturi vuri në dukje mungesën e mësuesve të gjuhës rome, kryesisht për fëmijët e këtij komuniteti.

Rektori, prof. dr. Dhimitri Bello u shpreh i hapur për bashkëpunim dhe garantoi se UNIKO ështe gjithmonë në mbështetje të nismave të tilla, të cilat janë në dobi të arsimimit dhe edukimit të brezit të ri.

Leave a Reply