Në datën 21 nëntor 2025 Fakulteti i Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” zhvilloi analizën e veprimtarisë akademike për vitn 2024-2025.
Dekani i Fakultetit, prof. as. dr. Besnik Skënderasi në fjalën e tij theksoi se raporti paraqet analizën vjetore të realizimit të qëllimeve dhe objektivave të përcaktuara në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe misionit terciar në Fakultetin e Bujqësisë gjatë vitit akademik 2024–2025. “Analiza është bazuar në të dhënat e mbledhura nga departamentet, rezultatet e studentëve, vlerësimet e stafit akademik dhe reagimet nga studentët”.
Dekani paraqiti raportin në prani të stafit akademik e ndihmësakademik të Fakultetit dhe të rektorit të UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi.
Gjatë kësaj analize u theksua se Fakulteti i Bujqësisë i Universitetit “Fan S. Noli” në veprimtarinë e tij mësimore ka synuar që nëpërmjet programeve të studimit që ofron, të kontribuojë në rritjen e standardeve akademike e shkencore, si dhe në përgatitjen e specialistëve të aftë në të gjitha fushat, sipas programeve të studimit që ai ofron. Drejtimet kryesor të veprimtarisë mësimore gjatë vitit akademik 2024-2025 për autoritetet drejtuese dhe stafin akademik të FB kanë qenë konsolidimi i programeve egzistuese në të tre ciklet e studimit në funksion të zgjerimit të fushës së zgjedhjes për nevojat që paraqet tregu i punës në rajonin e Korçës dhe më gjerë, si dhe akreditimi i dhjetë programeve të studimit.
Takimi vijoi me diskutime nga të pranishmit, ku u dhanë ide, mendime e sugjerime për ecurinë e punës dhe realizimin e objektivave të këtij Fakulteti ku stafi drejtues dhe pedagogët e tij do të vijojnë punën në drejtim të përshtatjes së infrastrukturës didaktike e shkencore me kërkesat që dalin për konsolidimin dhe përmirësimin cilësor të të gjitha programeve të studimit, në mënyrë që të rritet interesi i studentëve për të studiuar në programet që ofron Fakulteti i Bujqësisë.





























