Në datën 10 qershor 2025 në kuadër të Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me temë sigurinë ushqimore, ku të ftuar ishin drejtues të autoriteteve vendore dhe institucioneve, përfaqësues të bizneseve ushqimore pedagogë, studentë dhe aktorë të tjerë të interesuar, për të ndarë njohuri, përvoja dhe mesazhe të rëndësishme mbi këtë temë.
Takimin e organizuar nga departamenti i Agroushqimit e përshëndeti fillimisht dekani i FB, prof. as. dr. Besnik Skënderasi, i cili theksoi rëndësinë e garantimit të ushqimit të sigurt për shëndetin e komunitetit dhe rolin e bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë drejtim.
Në fjalën e tij rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi përgëzoi organizatorët e kësaj tryeze diskutimi dhe ndër të tjera nënvizoi: “Universiteti ynë në vizionin e tij për transformimin në një qendër ekselence dhe ndikim në shoqëri e ka përcaktuar bujqësinë si një nga fushat prioritare. Përmes dokumenteve strategjike të zhvillimit institucional dhe veçanërisht nëpërmjet veprimtarisë së FB, mbështetja për kërkimin shkencor në bujqësi dhe në sigurinë ushqimore shihet si një kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin rajonal dhe në rritjen e cilësisë së jetës”.
Të pranishmit i përshëndeti edhe përgjegjësja e departamentit të Agroushqimit, dr. Sulltana Ajçe, si dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Erion Nexhipi, të cilët gjithashtu u ndalën në temën bosht të kësaj tryeze që lidhet me ushqimin e sigurt, duke e parë këtë si një përgjegjësi të përbashkët. Në këtë frymë, të gjithë pjesëmarrësit ndanë kontributet e tyre mbi praktikat më të mira, sfidat aktuale dhe rëndësinë që ka ushqimi i sigurt për shëndetin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Pedagogët e FB, dr. Nikolin Karapançi dhe msc. Kristi Morava referun për auditorin temat “Cilësia dhe Siguria Ushqimore” dhe “Sëmundjet Ushqimore”, ndërsa falënderime u përcollën për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj tryeze.
Takimi shërbeu si një platformë reflektimi dhe bashkëpunimi për të forcuar angazhimin e përbashkët në garantimin e një ushqimi të sigurt për të gjithë.
























