Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ZHVILLOI “DITËN AKADEMIKE 2022”-CEREMONIA E DIPLOMIMIT TË STUDENTËVE

Në datën 28 shtator 2022 u zhvillua “Dita Akademike 2022”- ceremonia zyrtare e diplomimit të studentëve në universitetin “Fan S. Noli”. Në këtë ditë u diplomuan 770 studentë në 58 programe studimi, prej të cilëve u vlerësuan 2 studentë me “Medalje të Artë”, 19 me vlerësimin “Student i Shkëlqyer” dhe mbi 100 studentë me mesatare mbi 8.5 shënuan emrin në Librin e Ndrit të Universitetit. Rektori, prof. dr. Dhimitri Bello e quajti këtë ditën më të bukur dhe të veçantë në jetën e njeriut. “Në këtë ditë kurorëzojmë përpjekjet tona të përbashkëta në fushën e dijes, që, padyshim do të çelin hapësira të reja dhe besueshmëri të plotë për të ndërmarrë misione të rëndësishme në zhvillimin e Rajonit të Korçës, të vendit e më gjerë”. Rektori përshëndeti studentët diplomantë dhe të gjithë trupën akademike dhe joakademike të Universitetit që falë punës këmëbëngulëse arritën t`ia dalin megjithë sfidat dhe vështirësitë që koha u vuri përpara. “Në rrugëtimin tonë të përbashkët disa vjeçar kemi kaluar shumë sfida e vështirësi siç ishte dhe pandemia që na pengoi për njëfarë kohe praninë tuaj fizike në universitet, por me bashkërendimin e mirë të punës arritëm t`ia dalim më së miri me sukses”. Më pas, Rektori renditi edhe disa nga arritjet e Universitetit në drejtime të ndryshme si zgjerimi i bashkëpunimit me universitete ndërkombëtare dhe në këtë kuadër rritja e pjesëmarrjes së stafit e studentëve në mobilitete në universitetet e Francës, Bullgarisë, Rumanisë së shpejti edhe në Itali etj.

Përshëndetën në këtë ceremoni edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë, znj. Vinjola Rota, prefekti i Korçës, z. Nertil Jole, nënkryetarja e Këshillit të Qarkut, Korçë, znj. Mimoza Shuli, si dhe Dekanët e Fakulteteve, të cilët krahas përshëndetjes dhe urimit për një karrierë të suksesshme studentëve të sapodiplomuar u dhanë atyre edhe certifikata vlerësimi si studentë të shkëlqyer.

Përshëndetje dhe falënderime përcollën në këtë ditë për Universitetin dhe stafin akademik për mbështetjen e pakursyer që u kanë dhënë gjatë gjithë rrugëtimit të tyre të studimeve në këtë institucion edhe disa prej studentëve me rezultate të shkelqyera.  

E veçantë në këtë ceremoni ishte interpretimi live i Himnit tonë Kombëtar nga studentja Xhorxhia Xhixho dhe poezia e recituar me plot ndjenjë nga studenti Mario Çaçi.

Leave a Reply