Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

CEREMONI JUBILARE ME RASTIN E 50-VJETORIT TË THEMELIMIT TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”

Në datën 10 dhjetor 2021, Universiteti “Fan S. Noli” zhvilloi ceremoninë jubilare me rastin e 50-vjetorit të themelimit të tij. Ceremonitë e kësaj dite filluan me një takim që rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello zhvilloi me drejtues të institucioneve e rektorët e ftuar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut etj., në mjediset e Rektoratit. Ai i falënderoi të gjithë për praninë e tyre dhe i ftoi t’i bashkohen ceremonisë zyrtare të përgatitur për këtë ngjarje të shënuar të Universitetit “Fan S. Noli”.

Zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre në çelje të kësaj veprimtarie falënderoi të pranishmit, duke theksuar rolin dhe kontributin e Universitetit në këto 50 vite punë e përkushtim të stafit e studentëve të tij. Ajo prezantoi edhe botimin e historikut të Universitetit “Fan S. Noli”, “50 vite Universiteti “Fan S. Noli” (Nderi i Kombit)”, duke përgëzuar të gjithë ata që punuan për hartimin e tij. Ceremonia vijoi me prezantimin e një dokumentari që risolli në vëmendje themelimin e këtij Universiteti 50-vjet më parë, i vlerësuar dhe nderuar gjatë kësaj kohe me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë dhe me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, si dhe momente të veçanta të punës së tij në këtë gjysmëshekulli veprimtari. Më pas, ceremonia vijoi me fjalën e rastit mbajtur nga rektori, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili ndër të tjera theksoi: “Në këtë rrjedhë historike gjysmëshekullore, disa breza njerëzish të mençur dhe të motivuar kanë punuar me zemër dhe me përkushtim për zhvillimin e këtij institucioni. Falë kësaj pune të bërë prej tyre sot mund të deklarojmë me përgjegjësi se universiteti ynë është ndër institucionet arsimore, shkencore dhe kulturore më të mira në vend. Prej vitit 1971 dhe deri më sot, universiteti ynë shkallë-shkallë ka zhvilluar idetë e veta, duke u përpjekur të arrijë dhe të zhvillojë “universin” e dijes njerëzore nëpërmjet fakulteteve dhe programeve të tij të studimit. Universiteti “Fan S. Noli” ka patur rritje të mëdha sasiore dhe cilësore në përshtatje dhe në përballje me sfidat e kohës, duke u bërë qendra me e madhe arsimore dhe kërkimore, me ndikim domethënës në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të rajonit të Korçës dhe me gjerë. Në këtë 50-vjetor të universitetit, shpreh bindjen e plotë se, së bashku, si një familje e madhe, gjithë stafi akademik, administrativ dhe studentët nën drejtimin e autoriteteve të zgjedhura më 30 korrik të vitit të kaluar, do të krijojmë një mjedis pune bashkëpunues, ku secili ka rolin e vet të çmuar, duke punuar me ndershmëri dhe me përkushtim për të përballuar sfidat aktuale që kemi, në mënyrë që universiteti ynë të qëndrojë me dinjitet e besueshmëri përkrah dhe në ballë të institucioneve më të mira të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit.”

Më pas, në ceremoni përshëndetën edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, znj. Albana Tole, kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, kryetari i Konferencës së Rektorëve, prof. dr. Artan Hoxha, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Skënder Gjinushi, drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, znj. Xhiliola Bixheku, rektorë e personalitete të tjerë të ftuar nga universitete brenda e jashtë vendit, si dhe në emër të ish-studentëve të parë të Institutit të Lartë Bujqësor, foli z. Kosta Kovaçi. Të gjithë i uruan jetë të gjatë Universitetit “Fan S. Noli”, duke vënë në dukje arritjet dhe ndryshimet sasiore e cilësore që ai ka njohur vit pas viti.

Një moment i rëndësishëm i kësaj ceremonie ishte dhe vlerësimi i personaliteteve dhe miq nderi të Universitetit, të cilët kanë dhënë mbështetjen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e këtij Universiteti:

Titulli “Doctor Honoris Causa” për ish-drejtorin e ILB, z. Kristaq Kotonika, ndërsa me Certifikatë Mirënjohjeje u vlerësuan nga drejtuesit, stafi akademik dhe studentët: prof. dr. Sabri Laçi-dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT; prof. dr. Bardhyl Musai-studiues i përkorë në shkencat e edukimit e më gjerë, profesor i ftuar në Universitetin e Korçës; prof. dr. Edmond Rrapti-profesor i shkencave të edukimit dhe drejtues i institucioneve të arsimit të lartë në Tiranë; prof. dr. Fatmir Mema-personalitet i shquar në fushën e shkencave ekonomike; prof. dr. Edmond Hajrizi-personalitet i shquar në hapësirën shqiptare dhe europiane të arsimit të lartë, drejtues i UBT, Prishtinë; prof. dr. Dhori Kule-personalitet i shquar i shkencave ekonomike, ish-rektor i UT dhe dekan i Fakultetit të Ekonomisë; prof. dr. Shezai Rrokaj-personalitet i shquar i gjuhësisë shqiptare, ish-rektor i UT.

Së fundi u përcollën edhe mesazhet e urimit drejtuar rektorit të Universitetit “Fan S. Noli” nga rektorë të universiteteve brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe nga personalitete të njohura të fushave të ndryshme.

Leave a Reply

en_USEnglish