SESION SHKENCOR KUSHTUAR JETËS DHE VEPRËS SË POETIT TË SHQUAR TË ROMANTIZMIT EVROPIAN, XHORXH GORDON BAJRON

Në datën 12 nëntor 2026, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, UNIKO në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Greqisë në Korçë, organizuan një sesion shkencor kushtuar jetës dhe veprës së poetit të shquar të romantizmit evropian, Xhorxh Gordon Bajron.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, akademikë, pedagogë, studentë dhe të ftuar, duke krijuar një hapësirë diskutimi mbi kontributin e Bajronit në letërsinë evropiane, angazhimin e tij për lirinë dhe lidhjet historike e kulturore mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Takimin e përshëndetën rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi dhe Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë, dr. Asterios Bouzias, të cilët vlerësuan rëndësinë e tij dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional në promovimin e dialogut akademik dhe kulturor.

Në fjalën e tij, Rektori vuri në dukje se Bajroni nuk ishte vetëm një poet i madh, por edhe një udhëtar, vëzhgues i qytetërimeve dhe një personalitet që e shndërroi bindjen e tij për lirinë në angazhim konkret. Mesazhi i Bajronit, sipas tij, mbetet aktual edhe sot, pasi promovon vlerat e lirisë, të drejtave të njeriut, dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve

Më pas, dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke theksuar synimin e Fakultetit për të qenë një hapësirë takimi për ide, kultura dhe institucione të ndryshme. Ajo shprehu dëshirën që marrëdhëniet e bashkëpunimit të vijojnë përmes projekteve të përbashkëta akademike dhe kulturore, të cilat kontribuojnë edhe në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.

Përmes referimeve shkencore të pedagogëve dhe studiuesve, u përcollën këndvështrime të ndryshme mbi heroin romantik, lirinë dhe rebelimin në poetikën e Bajronit, Revolucionin Grek,  imazhin e shqiptarit në veprën e tij etj.

Sesioni shkencor evidentoi rëndësinë e trashëgimisë së Bajronit si një pikë referimi për dialogun ndërkulturor, kujtesën historike dhe bashkëpunimin mes popujve. Përmes veprimtarive të tilla, UNIKO vijon të promovojë dialogun ndërkombëtar, shkëmbimin e vlerave kulturore dhe ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

   

 

Previous Post
STUDENTË E GAZETARË NË NJË DISKUTIM TË HAPUR MBI SFIDAT E GAZETARISË SË SOTME