Në datën 11 shtator 2026 u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” takimi hapës i projektit fitues READ “Applied Research on the Translation and Teaching of Arbëresh Literature Written in Italian” (Kërkim i aplikuar për përkthimin dhe mësimdhënien e letërsisë arbëreshe të shkruar në italisht”) i cili ka në fokus letërsinë arbëreshe të shkruar në gjuhën italiane.
Të pranishëm ishin drejtues të Universitetit, FEF, staf akademik e ndihmësakademik, si dhe përfaqësues të AADF për programin READ.
Koordinatori i projektit, prof. as. dr. Eris Rusi theksoi se ai realizohet në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës dhe me prof. Enkelejda Shkreli (Shamku) dhe së shpejti nis zbatimin e tij.
Në fjalën e tij rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi ntë tjera u shpreh: “Ky projekt përfaqëson një nismë me rëndësi të veçantë akademike, kulturore dhe shoqërore, sepse vendos në qendër një pasuri të rëndësishme të identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore: letërsinë arbëreshe. Për shekuj me radhë, komunitetet arbëreshe kane ruajtur elemente të rëndësishme të identitetit shqiptar, duke i ndërthurur ato në mënyrë të veçantë me kulturën dhe gjuhën italiane. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga vlerat më të mëdha të këtij projekti. Universiteti nuk është vetëm një institucion ku prodhohet dhe transmetohet dije. Universiteti është edhe një hapësirë ku ruhet kujtesa, interpretohet trashëgimia dhe ndërtohet e ardhmja. Në këtë këndvështrim, ky projekt lidhet drejtpërdrejt me misionin e Universitetit për të nxitur kërkimin shkencor, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe për ta vënë dijen në shërbim të shoqërisë dhe kulturës. Besoj fort se një projekt i tillë mund të krijojë edhe një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet studiuesve të gjuhës, letërsisë, përkthimit, pedagogjisë dhe teknologjive moderne të edukimit”.
Prof. as. dr. Jonela Spaho dekan i FEF dhe njëkohësisht pjesë e grupit të punës së këtij projekti theksoi: “ Do të doja ta shihnim si fillimin e bisede rreth një letërsie që, edhe pse ka lindur në një hapësirë tjetër, vazhdon të na përkasë dhe të na bëjë pyetje. Po flasim për letërsinë e arbëreshëve të shkruar në italisht. Dhe pikërisht ky fakt e bën atë interesante për ne: një letërsi që jeton mes dy hapësirave, dy gjuhëve, dy përvojave kulturore, por që nuk e humb nevojën për të ruajtur një kujtesë dhe një lidhje me origjinën. Mësimdhënia na vendos përballe një pyetjeje tjetër: si t’ua afrojme këtë letërsi studentëve të sotëm? Si t’i bëjmë ata ta lexojnë jo sepse është pjesë e një programi, por sepse në të mund të gjejnë diçka që lidhet me botën e tyre: me identitetin, lëvizjen, përkatësinë, kujtesën, largimin dhe marrëdhënien me vendin prej nga vijmë? Mendoj se këtu qëndron edhe karakteri i veçante i këtij projekti. Ai bashkon kërkimin me një nevojë konkrete: të studiojmë, të përkthejmë dhe njëkohësisht të gjejmë mënyra të reja për ta sjellë këtë letërsi te studentët dhe te lexuesi. Për mua, si Dekane, ka edhe një kënaqësi tjetër: ta shoh këtë punë të zhvillohet në një Fakultet, ku letërsia, kultura, përkthimi dhe mësimdhënia mund të takohen pa kufij të ngurtë mes tyre”.
Takimi vijoi me diskutime nga të pranishmit rreth veprimtarive që do të zhvillohen në kuadër të këtij projekti, i cili ka si qëllim të nxjerrë në dritë materiale që sot janë pak të njohura ose vështirësisht të arritshme për studiuesit dhe studentët shqiptarë.
Njëkohësisht u fol edhe për një nga pjesët më të rëndësishme të projektit që janë laboratorët e përkthimit. Studentët e departamenteve të “Gjuhës dhe Letërsisë” dhe të “Gjuhëve të Huaja” do të punojnë së bashku me pedagogët dhe studiuesit mbi tekstet e përzgjedhura, duke u bërë pjesë e procesit kërkimor.
























