“IDENTIFIKIMI FOLKBIOLOGJIK DHE PËRSHKRIMI ETNOBOTANIK I BIMËVE SI PJESË E KULTURËS MATERIALE TË DEVOLLIT TË SIPËRM”-U PREZANTUA PROJEKTI FITUES I FINANCUAR ME FONDET E UNIKO PËR VITIN 2026

Në datën 15 shtator 2026 në mjediset e Bashkisë Devoll u prezantua projekti kërkimor i mbështetur nga fondet e Universitetit “Fan S. Noli” për vitin 2026 me titull: “Identifikimi folkbiologjik dhe përshkrimi etnobotanik i bimëve si pjesë e kulturës materiale të Devollit të Sipërm”, i drejtuar nga prof. as. dr. Anyla Saraçi.

Projekti me kohëzgjatje 12-mujore, vjen si një bashkëpunim i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë dhe departamentit të Agronomisë në Universitetin “Fan S. Noli”, në fushën e etnolinguistikës, etnobotanikës, shkencave albanologjike, biodiversitetit dhe mjedisit.

Sipas koordinatores Saraçi, qëllimi kryesor i projektit është dokumentimi dhe vlerësimi i njohurive tradicionale mbi bimët e egra të Devollit të Sipërm, duke evidentuar emërtimet popullore, klasifikimin folkbiologjik dhe përdorimet e tyre ushqimore, mjekësore e kulturore.

Në projekt janë përfshirë edhe dy studentë të programeve Master nga departamentet respective, të cilët do të zhvillojnë temat e diplomave lidhur me këtë projekt, si dhe do marrin pjesë në punën për identifikimin botanik e linguistik të bimëve dhe në përgatitjen e mostrave të herbarit etnobotanik kombëtar.

Përmes këtij studimi synohet ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë biokulturore të zonës, si dhe transmetimi i këtyre njohurive tek brezat e rinj.

Ky projekt do të ketë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e lidhjes së komunitetit me natyrën, historinë dhe traditat e Devollit, duke sjellë në vëmendje vlerat e pasura lokale si pjesë e identitetit kulturor dhe mjedisor të rajonit.

Previous Post
Njoftim për studentët!