Karakterizimi kimik dhe modelimi statistikor i cilësisë dhe autenticitetit të disa produkteve agro-ushqimore të përzgjedhura nga rajoni i Korçës

Departamenti i Biologji-Kimisë

Drejtues i projektit: Prof.As.Dr Redi Buzo

Kohëzgjatja e projektit: 12 muaj

Viti 2026

Qëllimi i projektit: 

Të kontribuojë në zhvillimin e një sistemi të bazuar në evidencë shkencore për vlerësimin e cilësisë dhe autenticitetit të disa produkteve agro-ushqimore të rajonit të Korçës, përmes integrimit të analizave kimike laboratorike dhe modelimit statistik të avancuar.

Në perspektivë afatgjatë, projekti synon të ndikojë në transformimin e sektorit agro-ushqimor nga një model tradicional, i bazuar kryesisht në eksperiencë empirike, drejt një modeli modern të mbështetur në analiza të standardizuara dhe interpretim shkencor të të dhënave. Ky transformim pritet të kontribuojë në rritjen e cilësisë, besueshmërisë dhe konkurrueshmërisë së produkteve lokale në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Objektivat specifikë të projektit

Objektivi 1 – Mbledhja dhe karakterizimi i mostrave
Të mblidhen dhe dokumentohen të paktën 50 mostra përfaqësuese nga produktet agro-ushqimore të rajonit të Korçës (verë, raki, bimë aromatike) brenda 3 muajve të parë, duke siguruar diversitet gjeografik dhe prodhues.

Objektivi 2 – Analiza kimike e produkteve
Të realizohet analiza spektrofotometrike (UV-VIS) për përcaktimin e parametrave kryesorë të cilësisë (p.sh. përmbajtja e fenolikëve, aktiviteti antioksidant) për të gjitha mostrat brenda muajve 3–6 të projektit.

Objektivi 3 – Profilizimi kromatografik
Të kryhet analiza me GC-FID për identifikimin e profileve të komponimeve volatile për të paktën 80% të mostrave brenda muajve 5–8, duke mundësuar karakterizimin e mëtejshëm të produkteve.

Objektivi 4 – Modelimi statistik dhe interpretimi i të dhënave
Të zhvillohen modele statistikore për analizën dhe klasifikimin e mostrave duke përdorur të paktën tre metoda (ANOVA, PCA, cluster analysis) brenda muajve 7–10.

Objektivi 5 – Krijimi i databazës analitike
Të ndërtohet një databazë e strukturuar që përfshin të dhënat kimike dhe kromatografike për të gjitha mostrat, brenda muajve 9–11 të projektit.

Objektivi 6 – Disseminimi i rezultateve
Të përgatitet dhe dorëzohet të paktën një publikim shkencor tek buletini shkencor i UNIKO dhe një prezantim në konferencë brenda muajit të fundit të projektit, duke siguruar shpërndarjen e rezultateve në komunitetin shkencor.

Previous Post
Studim i vlerësimit të mbetjeve të metaleve të rënda në ushqimin e gjedhit të qumështit, transferimi në qumësht dhe implikimet e tyre për sigurinë ushqimore dhe kërkimin shkencor
Next Post
Matematikë dhe Emocione: Një qasje për të kuptuar qëndrimet, ankthin, reduktimin e pasigurive dhe përmirësimit të përvojës në matematikë