Në datën 22 prill 2025 në kuadër të Ditës Botërore të Tokës, me nismën e departamentit të Histori-Gjeografisë dhe në bashkëpunim me departamentin e Edukimit, departamentin e Biologji-Kimisë dhe departamentin e Agronomisë, studentë e pedagogë së bashku organizuan disa veprimtari ndërgjegjësuese për mbrojtjen e tokës e mjedisit.
Veprimtaritë filluan me marshimin e studentëve të këtyre departamenteve në mjediset e parkut Rinia, ku përcollën mesazhe ndërgjegjësuese dhe shpërndanë për qytetarët fletëpalosje me informacione për Ditën e Tokës dhe për mbrojtjen e mjedisit.
Më pas, në formë simbolike ata pastruan mjedisin përreth Universitetit, ndërsa veprimtaria e radhës ishte takimi i përbashkët në Fakultetin e Bujqësisë.
“22 prilli nuk është thjesht një datë në kalendar, por një thirrje për ndërgjegjësim, reflektim dhe për veprim” u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij dekani i FB, prof. as. dr. Besnik Skënderasi. Takimin e përshëndeti edhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili përgëzoi stafin dhe studentët e angazhuar në këto organizime kaq të rëndësishme për vetë mesazhet që përcjellin për komunitetin dhe veçanërisht për brezin e ri. Takimi vijoi me disa prezantime nga pedagogët prof. as. dr. Adrian Maho, dr. Ermira Jashiku, prof. as. dr. Avni Spaholli dhe dr., Arben Gjata. Ata sollën të dhëna në lidhje me ndryshimet klimatike në qarkun e Korçës, rëndësinë që ka edukimi mjedisor në përmirësimin e cilësisë së jetës, në rëndësinë që ka 22 prilli si një ditë reflektimi për kthimin e vëmendjes së shoqërisë dhe institucioneve për tokën, uji dhe të dhënat biokimike të burimeve natyrore karstike dhe arteziane në qarkun e Korçës etj.
Të mbrojmë tokën, mjedisin e natyrën, reflektim në këtë 55-vjetor të Ditës Botërore të Tokës.





















