Në datën 20 janar në qytetin e Korçës, u nënshkrua zyrtarisht Marrëveshja e Bashkëpunimit për Projektin “TOKA”, një nismë strategjike e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që synon transformimin afatgjatë të sektorit bujqësor shqiptar përmes një modeli modern të bazuar në inovacion, dije dhe standarde evropiane.
Marrëveshja u nënshkrua nga të gjitha palët: Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, si dhe bashkitë Korçë, Pogradec, Maliq, Devoll, Kolonjë dhe Pustec.
Nisja e projektit u përshëndet nga rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili e vlerësoi këtë projekt si një nismë startegjike që bashkon pushtetin qëndror me atë vendor, universitetin dhe një partner prestigjioz ndërkombëtar akademik dhe kërkimor siç është Universiteti i Wageningen, Holandë me mbështetjen e çmuar të AADF-së. Ai tha se Projekti TOKA nënvizon dy dimensione kryesore: Transformimin e sektorit bujqësor dhe Dijen si mjet për realizimin e këtij transformimi.
Më pas përshëndetën takimn edhe Kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, bashkë-drejtuesi i AADF, z. Martin Mata, si dhe Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi.
Ky akt shënon nisjen zyrtare të Fazës së Parë të Projektit “TOKA”, e cila do të zbatohet fillimisht në qarkun e Korçës dhe do të shërbejë si model i replikueshëm në nivel kombëtar.
Projekti “TOKA” synon të vendosë themelet për një sektor bujqësor më konkurrues dhe të qëndrueshëm, duke u fokusuar në katër shtylla kryesore: zhvillimin e sektorit bujqësor, forcimin e Sistemeve të Njohurive dhe Inovacionit në Bujqësi (AKIS), sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e ka-paciteteve akademike dhe kërkimore.
Gjatë Fazës së Parë, projekti do të përfshijë analizën e situatës aktuale të bujqësisë në rajon, hartimin e një roadmap-i gjithëpërfshirës për zhvillimin agro-ekonomik, rritjen e kapaciteteve të aktorëve lo-kalë përmes trajnimeve dhe vizitave studimore, si dhe modernizimin e kurrikulave universitare në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.














