“RRJETAT KOMPJUTERIKE DHE SIGURIA E TYRE”- LEKSION I HAPUR ME STUDENTËT E FSHNH, I FTUAR PROF. AS. DR. IGLI TAFAJ

Në datën 17 Qershor 2019, në mjediset e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, u zhvillua leksioni i hapur “Rrjetat kompjuterike dhe siguria e tyre”, ku ishte i ftuar, prof. as. dr. Igli Tafaj, pedagog në Departamentin e Informatikës të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Universiteti Politeknik i Tiranës. Sipas përgjegjësit të Departamentit të Informatikës, dr. Rafail Prodani, ky leksion u organizua me qëllim që studentët,  të cilët studiojnë apo punojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, të njihen me konceptet moderne të rrjetave kompjuterike, sigurisë kibernetike, fazat e sulmeve nga hakerat, mënyrat e mbrojtjes etj. Studentët ndoqën me vëmendje leksionin dhe në fund bënë pyetje rreth situatave të  ndryshme që kishin hasur gjatë punës në internet.