Në datën 17 dhjetor 2025 Universiteti “Fan S. Noli” zhvilloi analizën vjetore të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor për vitin akademik 2024-2025.
Takimin e hapi rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili u shpreh se Universiteti “Fan S. Noli” ka ndërtuar misionin e tij mbi tre shtylla themelore: mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe shërbimin ndaj komunitetit. Rektori paraqiti shkurtimisht disa nga arritjet më të rëndësishme të vitit akademik 2024-2025 në këto tre drejtime.
“U përmirësua oferta akademike me programe të reja studimi në përputhje me kërkesat e tregut. Një vëmendje e veçantë iu kushtua programeve ndërdisiplinore dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Prioritet i është dhënë gjithashtu përmbushjes së standardeve ligjore për akreditimin e programeve të studimit dhe sot rreth 75% e programeve janë të akredituara. Një hap i rëndësishëm ka qenë modernizimi i kurrikulave dhe përmirësimi i metodave të mësimdhënies. Inovacioni në mësimdhënie është përmirësuar edhe përmes përdorimit të platformës CleanScore.
Një element kyç i progresit tonë ka qenë kualifikimi i stafit akademik me tituj e grada shkencore.
Në fushën e kërkimit shkencor objektivi kryesor ka qenë rritja e veprimtarisë hulumtuese në njësitë kryesore dhe standardizimi i saj sipas parimeve të etikës në kërkim. Në kuadër të ndërkombëtarizimit të ofertës akademike vlen të theksohet përpjekja e të gjitha njësive bazë për të rritur ofertën akademike dhe për të aplikuar metoda të reja mësimdhënieje që lidhen me mësimin në distancë.
Mbështetja financiare për kërkimin ka qenë një tjetër aspekt i rëndësishëm. Gjatë vitit akademik 2024-2025 janë mbështetur 8 projekte me fondet e Universitetit ndërsa të tjera janë financuar nga programe si READ, AKKSHI, PIKSH, si dhe nga iniciativat ndërkombëtare ERASMUS+, COST dhe CEEPUS. Për herë të parë Universiteti ynë fitoi si lider në projektin ndërkombëtar SINCERE.
Një prioritet i veçantë ka qenë përfshirja e studentëve në aktivitete të ndryshme dhe në mënyrë të veçantë në kërkim.
Gjatë këtij viti Universiteti ka arritur të forcojë lidhjet me komunitetin dhe sektorin privat, duke ofruar shërbime kërkimore të specializuara duke organizuar seminare, trajnime për aktorët lokalë, si dhe bashkëpunime në projekte kërkimore”.
Më pas u prezantua e detajuar veprimtaria e institucionit në fushën e mësimdhënies nga zëvendësrektori për mësimin, prof. as. dr. Lorena Zeqo dhe në fushën e kërkimi shkencor nga zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, dr. Aida Mosko.
Pas prezantimit dhe diskutimit mbi arritjet dhe sfidat e vitit akademik 2024-2025, sa i takon prioriteteve dhe drejtimeve kryesore për vitin pasardhës, Rektori nënvizoi se motivi udhëheqës i punës do të vazhdojë të jetë rritja e cilësisë së mësimdhënies, forcimi i kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimi dhe përshpejtimi i digjitalizimit, duke i konsideruar këto procese jo vetëm si investime në infrastrukturë dhe kapitale materiale, por mbi të gjitha si investime në kapitalin njerëzor: stafin akademik, administrativ dhe studentët.

















