Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

FJALORI I HOMONIMEVE I PROF. DR. ALI JASHARIT U PËRURUA NË NJË VEPRIMTARI TË PËRBASHKËT ORGANIZUAR NGA AKADEMIA E SHKENCAVE E  SHQIPËRISË DHE UNIVERSITETI I KORÇËS

Në datën 19 prill 2021, UNIKO në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë zhvilluan një veprimtari të veçantë për përurimin e “Fjalorit të homonimeve në gjuhën shqipe” të prof. dr. Ali Jasharit. Kryetari i ASH, akad. Skënder Gjinushi shprehu kënaqësinë që nënshkrimi i marrëveshjes u pasua edhe me organizimin e veprimtarive konkrete siç është edhe kjo veprimtari promovuese. Ndërsa i uroi suksese profesor Ali Jasharit, ai theksoi se fjalorët janë një thesar, ashtu si ky botim, i cili sjell vlera të veçanta në kultivimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Akademiku Gjinushi vlerësoi përvojën e gjatë, studimet dhe punën disavjeçare të profesor Ali Jasharit në fushën e gjuhësisë, të cilat sipas tij u bënë bashkë, duke na sjellë këtë fjalor voluminoz, që mund ta sillte vetëm një studiues i këtyre dimensioneve.

Më pas rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello u shpreh se është një vlerësim për autorin dhe për Universitetin organizimi i një veprimtarie të tillë përuruese. “Unë pata fatin që të marr në Akademi kopjen e parë të fjalorit, jo vetëm si rektor, por si koleg dhe bashkëpuntor i ngushtë prej vitesh me profesor Jasharin, që e kam ndjekur nga afër punën e madhe dhe të durimshme për hartimin e kësaj vepre.  Pas botimit të “Fjalor me shprehje të huazaura në gjuhën shqipe”, të një sprove në vitin 2008 me fjalorthin “Fjalor i homonimeve të gjuhës shqipe”, bashkë me profesorin Bahtijar Kryeziu, të “Fjalorit leksiko-frazeologjik të Devollit” e vepra të tjera, si monografi, përmbledhje studimesh, tekste shkollore për gjuhën shqipe në arsimin parauniversitar dhe atë universitar etj., profesor Ali Jashari leksikografinë duket sikur e ka bërë pjesë jete e pune. Numri aq i madh i fjalëve homonimike në këtë “Fjalor”që flinin të qeta ndër shekuj në trevat e shqipes, tani të trazuara nga pena e prof. Ali Jasharit, do të jenë të mirëseardhura për pasurimin e fjalësit të shkollarëve, mësuesve, gazetarëve, shkrimtarëve, gjuhëtarëve, përkthyesve e dashamirësve të tjerë të gjuhës shqipe”.

Prof. dr. Valter Memisha, recezent i këtij botimi u shpreh se “Fjalori i homonimeve në gjuhën shqipe” vjen në një çast kur shqipja dhe përdoruesi kanë nevojë për të dhe sipërmarrja ka qenë e guximshme, sepse problemet që kanë kërkuar zgjidhje para se të fillonte procesi hartues kanë qenë jo të pakta. Vlera themelore sipas tij qëndron në punën e jashtëzakonhme për të pasqyruar në vepër pjesën dërrmuese të homonimisë, duke e sjellë atë gati-gati shterueshëm. Më pas pedagogu i gjuhës shqipe në UNIKO, msc. Olger Brame, ndërsa i uroi suksese profesor Ali Jasharit, përcolli fjalën e akademikut Jani Thomai, recezent i veprës, ku ndër të tjera thuhej:

“Profesor Ali Jashari është tashmë një leksikolog i formuar që njihet si hartues i tre fjalorëve, vepra të arritura prej një pune të kujdesshme disavjeçare, të vlerësuara në gjuhësinë shqiptare për përmbajtjen, përpunimin e cilësinë shkencore. Lënda e këtij fjalori, që po u jepet tash përdoruesve vjen nga një shumësi burimesh shkencore e letrare, si dëshmi e besueshmërisë së zgjedhjeve të njësive, të pasurisë së kësaj paradigme leksikore dhe të trajtimit të saj leksikografik. “Fjalori përmban rreth 6 mijë paragrafe homonimike, me 16.500 fjalë homonimie. “Fjalori i homonimeve në gjuhën shqipe është i pari në leksikografinë shqipe në këto përmasa e cilësi shkencore që mëton të japë një pasqyrë sa më të plotë të kësaj klase të leksikut të shqipes”.

Në përfundim, prof. dr. Ali Jashari falënderoi pjesëmarrësit për vlerësimin, si dhe të gjithë ata që me mendimet dhe idetë e tyre kontribuan në rritjen shkencore të kësaj vepre, botuar nën logon e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  

Leave a Reply