Në mjediset e Bibliotekës “Kongresi i Manastirit”, pranë Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, u prezantua projekti Erasmus+ Jean Monnet Module “Edukimi Mjedisor në Bashkimin Europian: Politika, Praktika dhe Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian” (E3-EU-AL), i financuar nga Bashkimi Europian, thirrja Erasmus +, Jean Monnet Module 2026.
Projekti synon të promovojë njohuritë mbi politikat mjedisore të BE-së, të forcojë ndërgjegjësimin mjedisor dhe të trajtojë procesin e përafrimit të Shqipërisë me standardet europiane. Moduli përfshin 40 orë mësimore, teorike dhe praktike, zhvillohet për një periudhë 3-vjeçare dhe është i hapur për të gjithë studentët e interesuar të universitetit.
Koordinatorja e projektit, dr. Ermira Jashiku, paraqiti filozofinë e programit Jean Monnet, objektivat dhe rezultatet e pritshme, ndërsa Ph.D. Metin Venxha shtjelloi historikun e BE-së, institucionet e saj dhe rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë projekt do të marrë pjesë edhe prof. as. dr. Mihallaq Qirjo, ekspert i Politikave Mjedisore sipas BE-së.
Përshëndetën takimin dhe përgëzuan ekipin akademik për këtë nismë me rëndësi të veçantë akademike e shoqërore edhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, prof. as. dr. Jonela Spaho, dekane e FEF, si dhe prof. as. dr. Edlira Menkshi, përgjegjëse e departamentit të Histori-Gjeografisë, të cilët nënvizuan se ky projekt trajton një nga sfidat më të rëndësishme të kohës: mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e një kulture të qëndrueshme zhvillimi përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit qytetar.
Duke iu drejtuar kolegëve, Rektori nënvizoi se pjesëmarrja në projektet Jean Monnet zgjeron dimensionin evropian të kurrikulave, forcon ndërkombëtarizimin dhe hap mundësi të reja bashkëpunimi akademik. Ndërsa ftoi studentët që njohuritë e fituara t`i shndërrojnë në iniciativa e veprime konkrete, sepse mbrojtja e mjedisit nis nga ndërgjegjësimi individual dhe reflektohet në përgjegjësinë e përbashkët.
Projekti bashkon studiues të edukimit mjedisor, politikave të BE-së dhe politikave mjedisore europiane, dhe shënon një hap të ri për dimensionin europian të Universitetit “Fan S. Noli”.














