Universiteti “Fan S. Noli” dhe HAN University of Applied Sciences, partnerë të UP University Alliance, çelën një kapitull të ri bashkëpunimi përmes nënshkrimit të Marrëveshjes Ndërinstitucionale Erasmus+.
Marrëveshja u firmos nga rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, dhe Presidenti i HAN University of Applied Sciences, Msc. Rob Verhofstad, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt shkëmbimit akademik, mundësive të reja dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.
Në këtë kuadër, pak ditë më parë në mjediset e UNIKO u zhvillua edhe një takim mes autoriteteve drejtuese të dy universiteteve dhe të UP University Alliance, ku u shkëmbyen ide dhe përvoja, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional.
Marrëveshja përfaqëson një tjetër hap në rrugën e ndërkombëtarizimit të UNIKO, duke krijuar mundësi konkrete për studentët dhe stafin akademik e administrativ për t’u përfshirë në përvoja ndërkombëtare, për të njohur modele të reja akademike dhe profesionale, si dhe për të përfituar nga praktikat e mira të arsimit të lartë evropian.







