Në datën 8 tetor 2026 në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli”, u zhvillua një sesion informues mbi programin READ (Research Expertise from the Academic Diaspora), një nismë që synon të forcojë kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin akademik në Shqipëri përmes angazhimit të ekspertëve dhe studiuesve të diasporës.
Z. Enrik Keco, Menaxher Projektesh në Albanian-American Development Foundation (AADF), vlerësoi bashkëpunimin me UNIKO në këtë kuadër dhe ndau me pjesëmarrësit informacion mbi mundësitë që programi ofron për studiuesit rezidentë dhe studentët e doktoraturës.
Gjatë sesionit ai prezantoi mundësitë për zhvillim profesional, bashkëpunim kërkimor, mentorim akademik dhe krijimin e urave të reja mes universiteteve shqiptare dhe rrjeteve ndërkombëtare të kërkimit. Aktiviteti ngjalli interes të veçantë te stafi akademik, studiuesit e rinj dhe studentët e doktoraturës, duke nxitur diskutime mbi potencialin e bashkëpunimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit të kërkimit në Universitetin “Fan S. Noli”.












