KËRKIM, PËRVOJË DHE BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR: STUDENTËT NGA CIHEAM MONTPELLIER ZGJEDHIN TË ZHVILLOJNË PRAKTIKËN DHE PUNËN E TYRE KËRKIMORE NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”

Qershor 2026- Në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërmjet Universitetit “Fan S. Noli” dhe institucionit CIHEAM Montpellier, dy studentet nga Franca, Fatima Mostafa dhe Meroua Naili zhvilluan praktikën profesionale (internship) dhe punën e tyre kërkimore pranë Fakultetit të Bujqësisë, UNIKO.

Nën drejtimin shkencor të pedagogëve dr. Aldona Minga dhe dr. Dorjan Marku, Universiteti “Fan S. Noli”, si dhe të prof. assoc. dr. Amélie Bourceret nga CIHEAM Montpellier, studentet u angazhuan në veprimtari kërkimore dhe praktike që lidhen me zhvillimin rural, sistemet agro-ushqimore, analizën socio-ekonomike të fermave dhe sfidat e qëndrueshmërisë në sektorin bujqësor.

Puna e tyre përfshin mbledhjen e të dhënave në terren, realizimin e intervistave dhe anketave me aktorë lokalë, analizën e informacionit të mbledhur, si dhe përgatitjen e temave të diplomës mbi çështje me interes të përbashkët për Shqipërinë dhe Francën.

Ky bashkëpunim u ofroi studenteve mundësinë të përfitojnë përvojë ndërkombëtare në kërkim shkencor, të njohin nga afër realitetin e sektorit bujqësor shqiptar dhe të zhvillojnë aftësi profesionale në një mjedis akademik ndërkulturor. Në të njëjtën kohë, ky bashkëpunim kontribuon në forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale midis Universitetit “Fan S. Noli” dhe CIHEAM Montpellier, duke krijuar mundësi të reja për projekte të përbashkëta, mobilitete studentore dhe bashkëpunime kërkimore në të ardhmen.

 

Previous Post
NJË SUKSES QË VAZHDON- ALUMNI YNË XHULJA ZENUNLLARI, SOT PJESË E STAFIT TË UNIKO
Next Post
U PROMOVUA MONOGRAFIA SHKENCORE “FAN NOLI NË SHTYPIN E KORÇËS, 1920–1924” DHE U NDA ÇMIMI “FAN S. NOLI” NË NJË AKTIVITET, PJESË E KALENDARIT TË VEPRIMTARIVE ME RASTIN E 55-VJETORIT TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”