“FJALORI I MADH I GJUHËS SHQIPE 2026” – VEPRIMTARI E AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË DHE UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”

Në datën 11 maj 2026 Universiteti “Fan S. Noli” dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizuan në Sallën e Konferencave “Teodor Laço” pranë Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, UNIKO, veprimtarinë shkencore kushtuar projektit madhor të leksikografisë shqiptare “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe 2026”.

Veprimtaria mblodhi studiues, akademikë, ekspertë të gjuhës shqipe, përfaqësues të pushtetit vendor të bashkisë Korçë, të Prefekturës dhe të Këshillit të Qarkut Korçë, përfaqësues të  komuniteteve fetare, mësues, pedagogë e studentë, për të paraqitur e diskutuar mbi hartimin, metodologjinë dhe realizimin online të këtij projekti kombëtar me rëndësi të veçantë për kulturën dhe identitetin gjuhësor shqiptar.

Veprimtaria u përshëndet nga Rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili në fjalën e tij e cilësoi Fjalorin jo vetëm një vepër madhore të gjuhësisë, por edhe si një monument të kulturës shqiptare që pasqyron në mënyrë besnike shpirtin, historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Ai gjithashtu theksoi ndihmesën që Universiteti i Korçës ka dhënë në këtë projekt madhor me dy pedagogë të  tij, prof. dr. Ali Jasharin si hartues e redaktor dhe dr. Olger Bramen si hartues e korrektor.

Në emër të Akademisë së Shkencave përshëndeti veprimtarinë akad. prof. dr. Anila Hoda, sekretare shkencore e kësaj akademie, e cila theksoi rolin dhe mbështetjen e Akademisë së Shkencave si institucion udhëheqës dhe jetëshkruesi i këtij projekti, që bashkëpunoi me studiues e institucione brenda e jashtë trojeve shqiptare, duke bërë të mundur që sot të kemi në duart tona këtë vepër madhore të leksikografisë shqiptare.

Akademik Jani Thomai, Doctor Honoris Causa i Universitetit “Fan S. Noli”, kryeredaktor i FMGJSH, në fjalën e tij përshëndetëse, shprehu fillimisht mirënjohje për Akademinë e Shkencave dhe kryetarin e saj akad. Skënder Gjinushin për besimin dhe mbështetjen, mirëkuptimin dhe nxitjen e dhënë grupit të punës për realizimin me sukses e në kohë të kësaj vepre, si dhe falënderime për Rektorin e Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi, për nismën dhe organizimin e kësaj veprimtarie. Ai theksoi gjithashtu se kjo vepër mbarëkombëtare është punë e dhjetëra kërkuesve shkencore e institucioneve bashkëpunuese e universiteteve në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut.

Akad. prof. dr. Valter Memisha, bashkëdrejtues i projektit dhe zëvendëskryeredaktor i kësaj vepre, paraqiti kumtesën me temë: “Hartimi i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe: parime dhe metoda”, ku shpjegoi me detaje dhe shembuj konkrete  të dhëna statistikore për Fjalorin, parimet e vendosura, metodën e ndjekur, burimet e shfrytëzuara për krijimin e korpusit, funksionet kryesore të Fjalorit etj.

Prof. dr. Anila Kananaj, koordinatore e projektit dhe redaktore shkencore e FMGJSH, në fjalën e saj i njohu të pranishmit me një përmasë mjaft moderne dhe të rëndësishme të kësaj vepre: realizimi i FMGJSH në formatin online, duke demonstruar praktikisht për të pranishmit mënyrën se si të punohet me Fjalorin në variantin elektronik, duke sjellë me shembuj elementë përbërës të faqes elektronike të Fjalorit, mënyrat e kërkimit në të, rëndësinë e sugjerimeve  nga përdoruesit etj.

Prof. dr. Ali Jashari, në cilësinë e hartuesit dhe redaktorit në këtë vepër madhore, paraqiti kumtesën e tij me titull: “Hartimi i FMGJSH, një sprovë për leksikografinë shqiptare”, duke ndriçuar disa nga sfidat dhe rëndësinë shkencore të këtij procesi. Ai theksoi se kjo vepër madhore e leksikografisë shqiptare, me karakter kolektiv, u shërben studiuesve, pedagogëve, studentëve, mësuesve dhe nxënësve, si edhe të gjithë përdoruesve të gjuhës shqipe.

Në fund të veprimtarisë u kalua në pyetje dhe diskutime nga të pranishmit në sallë.

Veprimtaria u moderua nga dr. Olger Brame, pedagog pranë departamentit të gjuhës dhe të letërsisë në Universitetin e Korçës, njëkohësisht hartues dhe korrektor në FMGJSH.

Previous Post
SHKOLLË VERORE: MENAXHIM I PROJEKTEVE ME FONDE TË BASHKIMIT EVROPIAN
Next Post
BASHKËPUNIMI NDËRINSTITUCIONAL – REKTORI PRET NË TAKIM PËRFAQËSUES TË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË