Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

NË TAKIMIN E KOMITETIT TË MENAXHIMIT TË ZONAVE TË MBROJTURA MJEDISORE, UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” U PËRFAQËSUA ME ZËVENDËSREKTORIN PËR MËSIMIN, DR. ARTO ADILI

Në datën 21 gusht 2023, prefekti i Qarkut Korçë, z. Nertil Jole organizoi takimin e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore në qytetin e Pogradecit.

Universiteti “Fan S. Noli” u përfaqësua në këtë takim me zëvendësrektorin për mësimin, dr. Arto Adili, ndërsa të pranishëm ishin gjithashtu edhe drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, z. Gjergji Koki, kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Erjon Nexhipi, përfaqësuesja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, znj. Edit Vardhami, si dhe përfaqësuesve të tjerë të institucioneve anëtare të këtij komiteti.

Në takim u ndanë mendime dhe ide mbi çështje që kishin të bënin me problematika të konstatuara siç janë: prerja e paligjshme e pyjeve, nevoja për një administrim sa me efikas të mbetjeve, mbrojtja dhe rivitalizimi i pasurive natyrore si asete që duhen shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme për të rritur atraksionin turistik të rajonit tonë, ndalimi i gjuetisë së paligjshme apo peshkimit abuziv, si dhe mobilizimi i çdo strukture e resursi për administrimin sa më efikas të situatave që krijohen nga zjarret.

Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore është organi mbikëqyrës për zbatimin e Planeve të Menaxhimit në Zonat e Mbrojtura, i cili synon nxitjen e zbatimit të modeleve të qëndrueshme të zhvillimit ekologjik në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, ruajtjen e ekosistemit e diversitetit biologjik, si dhe reduktimin e presionit jo të qëndrueshëm apo abuziv mbi burimet natyrore.

Leave a Reply