Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

STUDIME TË FORMIMIT TË VAZHDUAR NË FAKULTETIN E EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË

STUDIME TË FORMIMIT TË VAZHDUAR

STUDIME TË FORMIMIT TË VAZHDUAR. QENDRA E EKSELENCËS “FEF”

Qendra e Ekselencës “FEF” në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë ka për qëllim zhvillimin e veprimtarive të trajnimit dhe të kualifikimit të mësuesve. Veprimtaria e kësaj qendre përqendrohet në zhvillimin e shprehive të mësimdhënies dhe inovacionit në edukim, në mënyrat dhe praktikat e zhvillimit profesional të mësuesve, në rikonceptualizimin e partneritetit me shkollën etj.

Ajo është institucioni qendror për kualifikimin e personelit pedagogjik në shkollat e rajonit të Korçës dhe më gjerë. Qendra e Ekselencës “FEF” siguron një bashkëpunim të vazhdueshëm me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe me Zyrat Arsimore në rrethe Ajo ofron programe trajnimi në rreth 8 profile të mësuesve në shërbim, programe që mbështesin dhe sigurojnë rritjen e cilësisë së mësimdhënies, përsosjes së saj, si dhe aplikime të risive në fushën e mësimdhënies.

Qendra e Ekselencës “FEF” e ka selinë në Fakultetit e Edukimit dhe Filologjisë (auditori 334, kati i tretë) dhe ka një infrastrukturë moderne për kualifikimin e mësuesve. Qendra e Ekselencës “FEF” ka një koordinator (përgjegjës), pedagog, si dhe lektorë (pedagogë të kualifikuar dhe me përvojë mësimdhënieje), nga departamentet e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, sipas profileve që mbulojnë

Qendra e Ekselencës “FEF”, prej vitit akademik 2013-2014, ka organizuar trajnimin e mësuesve në shërbim në gjashtë sesione të përvitshme në gjithë rajonin e Korçës, të shpërndara gjatë periudhës nëntor  – prill.  

Për çdo vit mësimor qendra harton guidën e saj , të cilën ua dërgon të gjithë shkollave të qarkut, në mënyrë elektronike dhe të printuar (broshurë).

Në  vitin akademik 2013-2014, pranë kësaj qendre u  certifikuan 736 mësues, ndërsa për vitin shkollor 2014-2015, u certifikuan 628 mësues (në total 1364 mësues gjithsej).

 Qendra e Ekelencës “FEF” ka një infrastrukturë të përshtatshme për trajnimin e mësuesve dhe një bibliotekë të specializuar për këtë qëllim me 210 tituj me rreth 960 libra. Qendra zhvillon veprimtaritë kualifikuese edhe në mjedise të tjera, si në Bibliotekën e Fakultetit, në sallën e Internetit, në Laboratorin e Gjuhëve të Huaja etj. 

Në kuadër të projekteve të përbashkëta, Qendra e Ekselencës pranë Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë ka realizuar një sërë projektesh trajnimi. Në bashkëpunim me Save the Children, MEDPAK dhe Cooperazione Italiana allo Sviluppo, në periudhën Mars – Maj  2015, Qendra e Ekselencës “FEF”, u përzgjodh për të zhvilluar sesione trajnimi në 7 rajone të Shqipërisë, me mësues të arsimit parauniversitar në fushën e arsimit gjithëpërfshirës dhe vështirësive në të nxënë, në shkolla që mbulohen nga ky projekt. Gjatë kësaj periudhe u trajnuan dhe certifikuan 420 mësues, përkatësisht 60 mësues për çdo rajon: Korçë, Gjirokastër,  Durrës, Vlorë, Elbasan,  Peshkopi, Burrel.

Për periudhën shtator 2015 – prill 2016, në bashkëpunim me MEDPAK dhe  World Vision, u realizua trajnimi i mësuesve në disa rajone, në shkollat e projektit , përkatësisht : Tropojë, Kukës, Tiranë, Vlorë, Korçë, ku morrën trajnim dhe u certifikuan rreth 220 mësues të tjerë.

Në vazhdimësi, gjatë vitit 2016, në periudhën prill -shtator, nëpërmjet një projekti të MAS-it, në bashkëpunim me Save the Children, Cooperazione Italiana allo Sviluppo dhe MEDPAK, u realizua trajnimi dhe certifikimi i të gjithë mësuesve ndihmës të Shqipërisë, në përputhje me Udhëzimin Nr. 38, dt. 7.10.2014 të MAS-it, si dhe një pjese të punonjësve të shërbimit psiko-social pranë DAR/ZA-ve. Ky projekt mundësoi  trajnimin e rreth 200 mësuesve dhe specialistëve, të realizuar në tre qendra: Vlorë, Elbasan  dhe Tiranë.

Qendra e Formimit të Vazhduar në UNIKO, prej dhjetorit të vitit 2017 është akredituar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për një periudhë 4-vjeçare, me Vendimin nr. 26, datë 19.12.2017, për 34 module trajnimi dhe 1 program që përfshin 5 module, pra në total për 39 module në fushat: Kurrikula me kompetenca; Planifikimi i mësimdhënies; Etika, komunikimi, pedagogjia; Mësimdhënia dhe të nxënit; Zhvillimi profesional i drejtuesve; Çështje ndërkurrikulare; Teknologjia e informacionit në mësimdhënie, etj.

Për vitin 2018, në periudhën  16 shkurt – maj 2018, pranë Qendrës së Formimit të Vazhduar në Universitetin e Korçës u zhvilluan 4 sesione trajnimi  treditore dhe u certifikuan 350 punonjës arsimorë, pas përfundimit të trajnimeve të zhvilluara pranë kësaj qendre. Sipas përgjegjësit të qendrës, Msc. Olger Brame, trajnimet u zhvilluan të ndara në katër sesione me nga tre ditë. E veçanta e këtij viti ishte së mësuesit bëjnë regjistrim individual online në portalin e krijuar nga IZHA: www.trajnime.arsimi.gov.al  duke zgjedhur modulet për të cilat janë interesuar, për zhvillimin e tyre profesional.

Ndërkohë, module të Qendrës për Formimin e Vazhduar, janë përzgjedhur nga Save the Children, për trajnime në shkollat e projektit të cilat ndiqen nga kjo organizatë në rajonet: Tiranë, Elbasan, Mat, Shkodër, Gjirokastër.

Në sesionet e zhvilluara kanë marrë pjesë mësues nga rajoni i Korçës, por edhe nga rajone të tjera të Shqipërisë. Në të ardhmen synohet që Qendra për Formimin e Vazhduar,  gradualisht të kthehet në një qendër  trajnimi dhe formimi të vazhduar për mësuesit  dhe drejtuesit me një status kombëtar.

 

 Shfaq Guidën