U ZHVILLUA KONFERENCA KUSHTUAR 20-VJETORIT TË BULETINIT SHKENCOR TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”

Në datën 23.12.2016, Rektorati i Universitetit organizoi konferencën kushtuar 20-vjetorit të Buletinit Shkencor të Universitetit “Fan S. Noli”. Fjalën e hapjes në këtë konferencë e mbajti Rektori i Universitetit, prof. dr. Ali Jashari, i cili, ndër të tjera, tha: “Po i mbyllim veprimtaritë e këtij viti me një ngjarje të rëndësishme, siç kjo kushtuar 20-vjetorit të botimit të numrit të parë të organit të vetëm shkencor  të universitetit tone, “Buletinit shkencor”, i cili u pagëzua me këtë emër qysh në numrin e parë në vitin 1996. Natyrisht, Buletini shkencor me të  32 numrat e tij, është një vepër kolektive, që u mbrujt ndër vite nga pothuajse të gjithë pedagogët e universitetit tonë, por edhe nga shkrimet e dhjetra profesorëve dhe studiuesve nga universitete dhe institucione të tjera brenda dhe jashtë vendit.

Botimi i periodikëve shkencorë për çdo institucion është i një rëndësie të veçantë, i tillë ka qenë edhe buletini ynë, si një tribunë e mendimit shkencor në universitet, si një pasqyrë domethënëse e jetës shkencore dhe pedaogjike, si një mjet i frytshëm që u shërbeu pedagogëve tanë dhe të tjerëve për të realizuar kualifikimet akademike.

Por, në këtë 20-vjetor, duhen përmendur edhe emra të përveçëm, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në botimin dhe ngritjen cilësore të këtij organi shkencor. Në radhë të parë dua të vë në dukje ndihmesat e veçanta që ka dhënë prof. dr. Gjergji Pendavinji, i cili në atë kohë ishte zëvendësrektor i universitetit dhe ka qenë pikërisht ai që mblodhi me këmbëngulje artikujt e numrit të parë me 17 autorë. Dua të falënderoj, gjithashtu, drejtuesit e këshillave botuese të buletinit, si dhe të sekretarëve shkencorë,  që kanë punuar  për vite me radhë me korrektësi, me përkushtim dhe pa asnjë lloj shpërblimi, që buletini ynë shkencor të rritej cilësisht, të përfshihej në listën e botimeve shkencore dhe të njihej zyrtarisht si i tillë me numër ISSN-je. Po kështu, dua të falënderoj edhe ata pedagogë që janë marrë me redaktimin shkencor dhe gjuhësor të të gjithë numrave të tij.

                        20 vite pa ndëprerje nuk janë pak për botimin e një periodiku. Tani ka ardhur koha që, duke u nisur nga kualifikimet e larta të stafit akademik në të katër fakultetet, për t’iu përgjigjur edhe më mirë veprimtarisë shkencore në çdo fakultet dhe departament, periodiku ynë të botohet sipas specialiteteve edhe më të ngushta, sipas fushave dhe drejtimeve shkencore të mirëfillta që kanë departamentet dhe fakultetet. Pra, botimi i buletinit, përgatitja e tij, do të jetë pronë shkencore dhe pasqyrë e prodhimit shkencor-pedagogjik të çdo fakulteti dhe departamenti. E thënë ndryshe, vetë fakultetet kanë forca të afta shkencore për ta bërë mirë këtë detyrë sipas fushave që mbulojnë. Buletini shkencor do të pasqyrojë të shkruara të gjitha arritjet kërkimore-shkencore të departamenteve, ndaj dhe fondet për botim do të shkojnë pranë dekanateve dhe departamenteve”.

Më pas u mbajtën disa kumtesa.

Prof. dr. Gjergji Pendavinji, dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Humane, lexoi kumtesën me temë “Prezantimi i studimeve sociale dhe humane në 20 vitet e botimit të “Buletinit Shkencor”; prof. as. dr. Gjergji Mero, dekan i Fakultetit të Bujqësisë, kumtoi temën “Studimet për zhvillimin e bujqësisë dhe mjedisit të paraqitura në kolanën e  periodikut të “Buletinit Shkencor”, prof. as. dr. Stela Stratobërdha, përgjegjëse  departamenti në  Fakultetin e Ekonomisë, lexoi kumtesën “Vendi  i studimeve ekonomike në organin shkencor të universitetit tonw”, ndërsa prof. as. dr. Pavllo Cicko, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, kumtoi për rolin e studimeve filologjike në organin shkencor të universitetit.

Punimet e kësaj konference u ndoqën me interes nga pedagogët e universitetit.

Harta e Vendodhjes

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 822 42580

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
            alijashari@yahoo.com
            rektorati@yahoo.com

Sekretarja e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230
e-mail: megipashko@yahoo.com
        rektorati@yahoo.com

Zv. Rektore për mësimin
Prof. as. dr.  Majlinda Bello

Tel. : +355 822 42580
e-mail: mbello@unkorce.edu.al
            rektorati@yahoo.com

Zv. Rektore për shkencën dhe projektet
Dr. Erinda Papa

Tel: +355 822 42580
e-mail: erindapapa@yahoo.com

Administrator i Universitetit

Msc. Enslemvera Zake (Furxhi)
Tel: +355 822 43609
e-mail: eni_furxhi@yahoo.com

Te gjitha kontaktet